Fatet e Superiores, Shulku: E kemi gati planin, s’ka kampionat në tavolinë

schedule10:14 - 21 Mars, 2020

schedule 10:14 - 21 Mars, 2020

Kampionati shqiptar i futbollit është pezulluar pa afat, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, zbuloi për ABC News se në tavolinë janë disa module mbi rifillimin e garës. Ndër të tjera, Shulku bëri të ditur se kalendari do të vendoset në bashkëpunim me aktoret e futbollit.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, në një lidhje direkte me Skype për ABC News, zbulon se ka disa module për rifillimin e kampionatit, por opsioni përfundimtar do të merret kur të vendoset përfundimisht rikthimi në normalitet i garës.

“Ne i kemi gati modulet për rifillimin e kampionatit, pasi kemi disa opsione. Përfundimtari do të jepet kur të fillojë kampionati, pasi në atë moment do të llogaritet edhe koha që do të kemi në dispozicion. Në varësi të kohës kemi modulet, që do t’i përshtatim në momentin që do të dalë data e fillimit të aktiviteteve sportive”.

 

Ilir Shulku dhe Gerti Çarçani, gjatë lidhjes direkte me Studio Sprint

Por si mund të procedohet në një situatë të tillë? Shulku thekson se kalendari do të vendoset në bashkëpunim me aktorët e futbollit. “Në situatën ku ndodhemi mendoj se do të jetë një vendimmarrje kolegjiale. Pa diskutim që ne do t’i pyesim edhe klubet. Në momentin që do vendoset do ua japim 2-3 alternativa. pasi të marrim mendimet e tyre, atëherë do të vendoset kalendari më i mirë i mundshëm, që t’u përshtate klubeve së pari, t’i përshtatet kompeticionit, në mënyrë që të mbarojë kampionati në kohë”.

E në lidhje me stërvitjen e futbollistëve, Shulku tregon më tepër detaje. “Nuk mendoj se rifillimi i kampionatit do të ndodhë sot për nesër. Klubeve do t’u lihen disa ditë në dispozicion, që të stërviten në mënyrë të organizuar të gjithë bashkë. Dihet që është një sport kolektiv dhe jo një sport individual. Klubet dhe lojtarët, me sa jam informuar, po punojnë me plane të përcaktuar mirë nga stafet teknike”.

 

Në fund, Ilir Shulku refuzon të pranojë opsionin e mbylljes së garës, pasi është optimist se situata do të shkojë drejt përmirësimit. “Nuk është menduar për mbylljen e garës tani. Nuk mendojmë se kjo situatë do vazhdojë pafundësisht. Shpresojmë që kjo situatë të normalizohet dhe të rikthehemi sa më shpejt në jetën normale. Kam dëgjuar edhe opsione të tjera, por më duket më i pamunduri që kampionati të jepet në tavolinë dhe të ndërpriten tani. Shpresojmë që kampionatet të fillojnë shumë shpejt”.

Kampionati shqiptar është pezulluar pa afat, ndërsa për rifillimin e garës, do të ketë një njoftim të dytë nga ana e Federatës Shqiptare te Futbollit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!