Farruk Sejdini: Sërish trajner të huaj për kombëtaren

schedule17:15 - 26 Mars, 2019

schedule 17:15 - 26 Mars, 2019

Fitorja ndaj Andorrës ishte tepër e rëndësishme edhe pse jo e bukur. Ish-zëvendës trajneri i kombëtares, Farruk Sejdini, analizon gjendjen e ekipit përfaqësues dhe flet edhe për pasaardhësin e Kristian Panuçit.

Ky rezultat duhej, pavarësisht sesi. Kombëtarja bëri atë që duhet me suksesin ndaj Andorrës në Europian, duke lënë pas një moment tepër delikat, të paktën ky është Mendimi i një emri të njohur të futbollit shqiptar, si Farruk Sejdini.

Ish-zv/trajneri i ekipit përfaqësues, e vlerëson kështu ndeshjen e parë pa Panuçin.

“Unë do thosha që kjo ndeshje me të vërtetë ishte e lehtë në letër, por pati një vlerë dyfishe, jo vetëm se morëm 3 pikët që na mban akoma në garë, por mendoj që ishte më tepër për të qetësuar ekipin tonë përfaqësues. Në konceptin tim mungoi logjika, i ngeli rastësisë dhe nuk ishte akoma e qartë përfaqësuesja jonë për atë që kërkonte dhe atë që bënte”, tha Sejdini.

Sejdini fajëson ish-trajnerin për konfuzionin me të cilin po luan kombëtarja këto kohë.

“Problemi i logjikës besoj që është koncept trajner. Për të gjitha ndeshjet që na ka drejtuar Panuçi ky fenomen ishte i pranishëm dhe kjo tregoi se trajneri nuk futi një koncept. Futbollistët tashmë luajnë në Europë dhe edukatën sportive e kanë”, tha ai.

Çështja kryesore është ajo e trajnerit të ri.

Shqiptar apo i huaj dhe nga emrat e dalë në media, cili duket më i përshtatshëm?

“Unë mendoj që sidomos në këtë moment më mirë do ishte një trajner i huaj. Ne e dimë sa e vështirë është këtu. Nga emrat që përfliten mund të jetë më probabël Donadoni”, tha Sejdini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!