Fantastik te Sparta Prague, tekniku danez elozhe për “fantazistin” e Kombëtares

schedule10:16 - 5 Prill, 2024

schedule 10:16 - 5 Prill, 2024

Falë performancave të tij magjepsëse, te “gjigantët” kroatë, të Dinamo Zagreb “fantazisti” shqiptar i sulmit, Indrit Tuci bëri hapin e madhe në karrierën e tij, teksa gjatë merkatos së janarit u transferua te kampionët në fuqi, të Çekisë, Sparta Prague, ku pavarësisht se nuk po siguron numër të madh minutash, po lë “gjurmën” e tij, në “Fortuna Arena”.

“Perla” e radhës erdhi në gjysmëfinalen e Kupës së Çekisë, me skaudrën e tij, që mundi me rezultatin e pastër, 0 me 2, skuadrën e Opava, me “Legjionarin”, 23-vjeçar, të Kombëtares sonë, që asistoi golin e dytë për shokët e tij të skuadrës, duke i siguruar kështu një tjetër mundësi për të fituar trofe këtë sezon.

Pas ndeshjes, një koment të shkurtër e bëri edhe tekniku i “gjigantëve” të futbollit çek, Brian Priske, i cili foli goxha për dy transferimet e janarit, Marcus Solbakken e Indrit Tuci, teksa vlerësoi jo pak performancat e tyre, por edhe nivelin e madhe, që “fantazistët” e rinj, të repartit ofensiv posedojnë dhe po tregojnë në fushën e blertë.

“Tuci dhe Solbakken po përshtaten shumë shpejt me ne. Kjo dëshmon jo vetëm për qëndrimin e tyre, por edhe mjedisin e mirë që ekziston te Sparta. Ata duan të mësojnë dhe të përfshihen sa më shumë në punën e përditshme. Në të njëjtën kohë, ata po ndihen rehat edhe me shokët e rinj të skuadrës.

Dallohet një gjë e tillë edhe në performancat e tyre. Karakteristikat e Tucit dhe Solbakken përshtaten në mënyrë të përkryer me ekipin tonë. Jam i kënaqur me të dy. Tani e kanë vetë në dorë të bëjnë edhe më mirë dhe të përmirësohen edhe më shumë”,- u shpreh tekniku danez për dy “fantazistët” e sulmit, të afruar gjatë merkatos së dimrit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!