Familja nga Puka me koronavirus, nis dezinfektimi i gjithçkaje në qytet: Bashkia, mbledhje urgjente

schedule10:29 - 10 Mars, 2020

schedule 10:29 - 10 Mars, 2020

Banorët e Pukës janë zgjuar sot të panikuar nga koronavirusi, teksa pesë anëtarë të një familjeje pukjane, që jeton në Tiranë, kanë rezultuar pozitiv ndaj këtij virusi.

Në rrugët e qytetit të Pukës sot janë parë shumë pak njerëz, ndërsa punonjësit e bashkisë kanë nisur që prej mëngjesit dezinfektimin e të gjitha rrugëve, godinave të shërbimit dhe pallateve.

Paniku është shtuar edhe më shumë te qytetarët, pas lajmeve të qarkulluar së fundi se njëri nga të prekurit me koronavirus kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore në Pukë.

Me mbylljen e shkollave dhe universiteteve, një numër i madh studentësh, por edhe qytetarësh, po kthehen nga Tirana në Pukë, pasi mendojnë se mund të jenë më të sigurt.

Në lidhje me këtë kryetari i bashkisë Pukë ka thirrur në orët e para të mëngjesit në mbledhje, drejtuesit e këtij rrethi për masat e marra dhe ato që duhen marrë në lidhje me Koronavirusin në këtë qytet.

“Në gjithë territorin e bashkisë Pukë janë dezinfektuar zonat kryesore.

Na lind për detyrë që të jemi sa më vigjilent që secili prej tyre që vjen të marri masa për kujdes

Sot gjithkush është rrezik potencial për përhapjen e koronbavirusit. Kam një mesazh për ju qendrat shëndetësore që për të gjithë punonjësit tuaj për të pasur dhe pasqyruar çdo lloj shqetësimi që ka. Ju jeni ata që mbani përgjegjësi për këta persona por edhe më kompetentët për ti shqyrtuar rastet.

Grupi i  mjekëve duhet të jetë non-stop, dhe një specialist të dalë çdo ditë për të dhënë informacionet më të reja.  

Në këto kushte besoj që aftësia e mjekëve është edhe qetësuese në opinionin publik. Po ashtu gjithë qendrat shëndetësore të bëjnë kontrollin në objektet që janë mbyllur, për masat higjeno-sanitare. Ne duhet të bëjmë kujdes të veçantë në lidhje me personelin mjekësor.

Të gjithë sektorët duhet të alternohen mes njëri tjetrit në gjithë institucionet. Arsyeja që e bëra këtë takim është se po morëm masa të menjëhershme mund ta parandalojmë këtë sëmundje. Ne jemi më të ekspozuar si rreth sepse dihet origjina e kësaj sëmundje, ne normalisht kemi klimë të ftohtë dhe të lagësht e cila është ndihmëse për përhapjen e kësaj sëmundjeje. Kjo detyrë nuk është e një individi, por është kolektive.

Sot kemi në dorë fatin e qytetarëve dhe është përgjegjësi e të gjithëve për tu kujdesur, për të qenë të sigurtë për parandalimin. Sot më mirë se kurrë jemi në kohën e duhur për të marrë masat. Kemi bërë disa takime të tjera për të dhënë mesazhin se është koha për të marrë masat e duhura. Kontaktet dhe klubet duhet ti eliminojmë në maksimum, me urdhër të bashkisë nuk do të ketë asnjë manifestim grumbullim të njerëzve deri  në një situatë tjetër. Prej jush kërkoj këtë të keni kërkesë llogarie për masat e duhura higjeno-sanitare”, the kreu i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!