Falim shumë, Shqipëria kapitullon në fund! Festë turke

schedule22:43 - 11 Tetor, 2019

schedule 22:43 - 11 Tetor, 2019

Mëkat! Futbolli ky është dhe Shqipëria provoi gjithçka që të fitonte me Turqinë. Nisje e qetë, në fund sulme dhe Manaj mund të na kishte nderuar. Gjithsesi Turqi-Shqipëri u mbyll 1-0 për fajin tonë. Tosun përfitoi nga gabimi i Strakoshës dhe i dha fitoren skuadrës së tij. Analizat do të jenë të shumta, me Manajn dhe portierin që do të përfundojnë në shenjestrën e kritikëve. Në fushë Shqipëria tregoi se nuk e meritonte të humbiste. Tashmë duhet parë përpara, me trajnerin Edoardo Reja që pret një telefonatë për rinovimin e kontratës.

PJESA E PARË – Ashtu siç ishte parashikuar, gjithçka ishte luftë nervash dhe taktikë. Trajneri Edoardo Reja i kishte marrë masat që Turqia të mos na rrezikonte. Vërtetë synohet fitorja si e vetmja shpresë për t’u kualifikuar në EURO 2020, por nuk mund të hidhesh në aventura ndaj një ekipi me lojtarë cilësorë që mund të të ndëshkojnë me një rast të vetëm.

Në fakt e kishin një që në fillim me Tosun, por turku nuk ishte i saktë dhe porta e Strakoshës mbeti e paprekur. Nuk mungoi tensioni në 45 minutat e para, teksa pati edhe pesë kartonë të verdhë. Sigurisht, nisur nga mënyra e lojës, Cikalleshi dhe Manaj e kanë të vështirë përpara. Gjithsesi në fund lushnjari rrezikoi nga një goditje dënimi, që mund të ishte kthyer në gol. Ndërhyrja e portierit Günok ishte vendimtare dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.

PJESA E DYTË – Turqia është më agresive dhe nis të shohë më shumë nga porta e Strakoshës. Në disa raste edhe i afrohet. Një nga momentet e vështira u zgjidh nga ndërhyrja e Veselit, ndërkohë që nga ana tjetër Shqipëria kishte një moment me Lenjanin që mund të rrezikonte vendasit. Gjithsesi anësori i majtë nuk e mori topin si duhet. Reja hodhi në fushë edhe Roshi disa minuta pasi nisi pjesa e dytë.

Calhanoglu i Turqisë tentoi të na befasonte me një gjuajtje në hyrje të zonës, por topi shkoi jashtë kuadratit. Rasti më i mirë ishte për Rey Manajn, i cili mori një top nga Odise Roshi dhe pak metra nga porta e devijoi jashtë. Shans i artë, i sfumuar nga sulmuesi i Albacete. Lushnjari ishte protagonist edh enë të 82’, kur mori një top dhe po shkonte drejt portës kundërshtare. Marrje e keqe e topit dhe më pas mbrojtja vendase i hoqi mundësinë të gjuante.

Sëmundja e minutave të fundit rikthehet, teksa pësuam pas një dalje të gabuar të Strakoshës. Tosun me portën e boshatisur nuk gaboi dhe bëri që stadiumi të shpërthente në festë. Ëndrra Europian për Shqipërinë shuhet, pas humbjes së sotme me Turqinë.

EURO 2020 – Kualifikueset, faza e grupeve
E premte, më 11 tetor 2019, ora 20:45

TURQI-SHQIPËRI 1-0
Shënues: Tosun 90’

TURQIA: Günok, Çelik, Demiral, Emre (Kahevci 66’), Tufan (Yazici 80’), Tosun, Çalhanoğlu, Meraş, Tekdemir, Yılmaz, Ayhan (Soyuncu 46’). Trajner: Şenol Güneş

SHQIPËRIA: Strakosha, Veseli, Ismajli, Dermaku, Djimsiti, Lenjani (Roshi 57’), Bare, Memushaj (Abrashi 72’), Gjasula, Manaj, Cikalleshi (Balaj 83\). Trajner: Edoardo Reja

Gjyqtarë: Ovidiu Haţegan, Octavian Șovre, Sebastian Gheorghe, Sebastian Colţescu (Rumani)
Kartonë të verdhë: Demiral 7’, Ayhan 26’, Tufan70’ / Dermaku 4’, Bare 7’, Memushaj 12’, Abrashi 83’, Djimsiti 86’

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!