Ndonjëherë mjafton fare pak për t’u lidhur me ekipin, qytetin dhe tifozerinë. Një sezon luajti Eni Imami në Shkodër me Vllazninë, ekip me të cilin fitoi Kupën e Shqipërisë dhe u shpall nënkampion.
Fundi i aventurës së kuqebluve në Conference League, ka sjellë edhe fundin e eksperiencës së 28-vjeçarit në qytetin më të madh verior. E ardhmja quhet Dinamo, teksa mbrojtësi shkruan fjalë zemrë për vitin e kaluar te Vllaznia.
“Pa dyshim që është një nga momentet më të vështira për një futbollist kur ndahet nga një ambient që është përshtatur, ku ka gjetur dashuri, ngrohtësi, përkrahje, respekt! Me këtë postim që e zgjodha si më të veçantin dua t’u them gjithë popullit kuq e blu: FALEMNDERIT nga shpirti për çdo gjë.
FALEMNDERIT stafit teknik, Thomas Brdaric, Elvis Plori, Safet Osja, Ideal Lekiqi, shokut tim, drejtorit Matko Djarmati që ngulmoi të isha pjesë e Vllaznisë, Znj.Voltana Ademi, Z. Alban Xhaferi, shokët e mi të ekipit që janë pa përjashtim fantastikë!
Krenar që isha pjesë e juaja dhe më falni nëse kam gabuar diku dikur, por kurrë me qëllim! Urimet më të mira për ju nga nji tironc, që dha gjithçka për të ngritur lart emrin e qytetit të Shkodrës!“, shkruan mbrojtësi nga Tirana. /abcnews.al