Faleminderit shqip! Guximi i infermieres Doriana, nga Shqipëria në Barletta në shërbim të urgjencës

schedule16:57 - 2 Prill, 2020

schedule 16:57 - 2 Prill, 2020

Që nga dita që mjekët shqiptarë iu bashkuan atyre italianë, për të kontribuar së bashku në trajtimin e të sëmurëve të prekur nga Covid-19, në mediat italiane çdo ditë sheh artikuj që i kushtohen mjekëve shqiptarë, jetës personale të tyre, dhe çfarë i bëri që të zgjedhin e të përballen me rrezikun nga koronavirusi.

 “Nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë por jo edhe aq e vështirë. Për mua Italia është vendi më i bukur në botë edhe pse jam krenare që jam shqiptare dhe ne shqiptarët jemi kaq krenarë dhe kurajoz. Unë e dua Italinë, ajo më dha mundësinë për të pasur një të ardhme të përshtatshme profesionale dhe e dua edhe më shumë tani që ajo është në vështirësi të mëdha për shkak të koronavirus“, shkruan që në nisje të një artikulli “La Gazeetta dell Mezzogiorno”, të cilin ja ka kushtuar një prej infermiereve të stafit mjekësor shqiptar raporton abcnews.al.

Doriana Ruko një 28-vjeçare, infermiere, vendosi që ti përgjigjej thirrjes së bërë nga autoritetet e emergjencës civile shqiptare, për punësimin e 500 infermierëve, si ndihmë në përballjen me situatën e Covid-19.

“Forcën që të bëja këtë zgjedhje e gjeta tek dashuria ndaj bashkëshortit tim Giuseppe, i cili gjithmonë ka qenë forca ime më e madhe, gjithashtu dhe nga familja ime”, thotë Doriana.

E lindur në Fier, një qytet i mrekullueshëm në Tokën e Shqiponjave, ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira.

Babai i saj Namiku, si shumë të tjerë në vitet ’90, emigroi në Itali për t’i dhënë një të ardhme më të mirë katër vajzave të tij (Armela dhe binjaket Fiorela dhe Francesca).

Ato u rritën me nënën, Mimozën me një frikë të atillë sa “natën edhe një zhurmë e vogël jashtë i bënte të dridheshin”.

“Fillimisht kam punuar në Trani, qyteti i parë që më priti, me njerëz të moshuar që më pasuruan shpirtin por jo vetëm, ata kontribuuan gjithashtu në nxitjen e pasionit tim për kuzhinën italiane. Gjeta punë në një azil falë Ritës, e cila ishte menaxherja ime me të cilën bëra intervistën time të parë, dhe që gjithmonë do t’u jem mirënjohëse që më dhanë mundësinë për të punuar me ta. Unë hyra në shtëpitë e njerëzve, ashtu si çdo infermiere që punon në shtëpi. Gjithmonë kam bërë çmos që të jap maksimumin në trajtimin jo vetëm të sëmundjes, por edhe personit”, thotë Doriana.

“Kjo situatë globale e urgjencës po na mëson të njohim kufijtë tanë dhe të përballemi me frikën tonë. Po na teston duke na lënë të heqim dorë nga dashuritë më të mëdha. Sipërmarrësit heqin dorë nga fitimet e tyre, gjyshërit heqin dorë nga dashuria e nipërve të tyre, mjekët rrezikojnë jetën për të shpëtuar atë të të tjerëve. Pranimi për të vendosur veten në vijën e parë nuk ishte i vështirë pikërisht sepse e dua profesionin tim dhe gjithmonë përpiqem të ndihmoj ata që kanë nevojë”, vazhdoi Doriana .

“Do të jem e lumtur të jap kontributin dhe mbështetjen time për kolegët e mi që aktualisht janë të mbingarkuar me punë dhe sigurisht që janë tepër të lodhur. Dua të theksoj se duhet të mbrohemi nga ky armik i padukshëm, duke përdorur në mënyrë korrekte të gjitha masat paraprake dhe pajisjet mbrojtëse personale, siç u tha gjerësisht në këto javë nga ministria e shëndetësisë, dhe të vazhdojmë të ruajmë distancën shoqërore. E di që nuk është një gjë e lehtë por është e vetmja armë efektive që kemi”.

Doriana e mbyll intervistën e saj për Il Mezzogiorno, me një “Faleminderit” Shqip!./abcnews.al