“Faleminderit! Ju jeni ekipi më i mirë në botë”

schedule07:53 - 20 Maj, 2024

schedule 07:53 - 20 Maj, 2024

Jurgen Klopp i ka dhënë lamtumirën Liverpoolit këtë të diel. Pas fitores ndaj Wolverhamptonit, trajneri gjerman foli me tifozët, në një moment emocioni të jashtëzakonshëm.

Ndeshja e fundit e gjermanit në krye të “The Reds”, në Anfield, përfundoi me fitoren 2-0 ndaj Wolverhampton

“Jam i befasuar. Mendova se do të isha bërë copë-copë deri tani, por jo. Jam shumë i lumtur për të gjithë ju, për atmosferën, lojën, të qenët pjesë e kësaj familjeje, atë që festuam në këtë ditë. Faleminderit shumë. Faleminderit që e shpërfillët kërkesën time dhe nuk e kënduat këngën time për gjashtë javë”, deklaroi i emocionuar Klopp.

“Nuk duket si fundi, por fillimi. Sot pashë një ekip që luante futboll plot talent, rini, kreativitet, dëshirë. Është pjesë e zhvillimit, është ajo që na nevojitet. Në këto pak javë që mora shumë vëmendje, kuptova shumë gjëra. Njerëzit thonë se i kam kthyer nga skeptikë në besimtarë. Nuk është e vërtetë, e bëtë ju”, vijoi Klopp.

“Ne kemi këtë stadium të mrekullueshëm, qendër stërvitore dhe ju, që jeni superfuqi e futbollit botëror. Sot jam një nga ju dhe vazhdoj të besoj. Vazhdoj të besoj 100 për qind. Pa dyshim që kam parë njerëz që qajnë dhe do të qaj edhe sonte, sepse do të më mungoni, por ndryshimi është për mirë. Gjithçka do të jetë mirë”.

Postin e Kloppit do ta marrë holandezi Slot, edhe pse Liverpooli ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht.

“Mirëprisni trajnerin e ri sikurse më mirëpritët mua. Tani unë jam një nga ju. Faleminderit, ju jeni ekipi më i mirë në botë!”, përfundoi Klopp./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!