Andriy Shevchenko nuk është më trajner i Ukrainës. Ish-sulmuesi i famshëm i Milan, Chelsea dhe Dinamo Kiev, është larguar nga detyra pas pesë viteve të kaluara në stolin e kombëtares së tij.
44-vjeçarit i përfundoi kontrata dhe palët kanë zgjedhur për t’u ndarë mes tyre, duke mos rinovuar. Sheva ka bërë publike ndarjen me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” (2004) drejtoi ekipin si trajner nga korriku i vitit 2016 (52 ndeshje), duke ia dalë të dërgojë Ukrainën në çerekfinalet e Euro 2020.
View this post on Instagram
“Sot përfundoi kontrata ime me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Ukrainës. Kam kaluar pesë vite si trajner i kombëtares. Kemi zhvilluar një punë të madhe, teksa treguam se jemi në gjendje të luajmë një futboll modern.
I jam mirënjohës presidentit të Federatës dhe Komitetit Ekzekutiv për mundësinë që më dhanë të punoja me skuadrën kombëtare të Ukrainës.
Falënderoj çdo futbollist dhe çdo person që ishte i përfshirë në skuadër. Shumë falënderime edhe për tifozët, për mbështetjen dhe kritikat e tyre.
Së bashku, ne treguam se futbolli ynë mund të jetë konkurrues, produktiv dhe emocionues“, shkruan në Instagram Andriy Shevchenko. /abcnews.al