Fajon: Kosova meritonte liberalizimin e vizave

schedule15:46 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 15:46 - 4 Dhjetor, 2018

Kosova meritonte liberalizimin e vizave, por gjithsesi kjo çështje nuk do të jetë në axhendën e Presidencës së radhës së Austrisë në Bashkimin Europian. Deklarata u bë nga eurodeputetja Tanja Fajon, e cila u shpreh e zhgënjyer për situatën aktuale.

Tanja Fajon, deputete në Parlamentit Europian dhe raportuese për vizat në këtë institucion, konfirmoi se Austria, si kryesuese e radhës e BE-së, nuk do ta fusë në rend të ditës votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas një burimi zyrtar por anonim për Radio Evropa e Lirë ajo u shpreh e zhgënjyer me situatën.

Fajon, po sipas këtij burimi, shpreh shqetësimin se ky skenar do të përsëritet edhe gjatë kryesimit të ardhshëm nga Rumania, vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ajo ëshët e bindur se asnjë nga vendet që do të kryesojnë gjatë dy vjetëve të ardhshme nuk do të jetë në gjendje të përfshijë në rend të ditës çështjen e vizave për Kosovën.

Eurodeputetja paralajmëroi se bashkë me Eduard Kukanin do të dërgojë një letër në emër të grupit të eurodeputetëve dhe do të kërkojë nga BE, që të përmbushë pjesën e saj të premtimit ndaj Kosovës, brenda një kohe shumë të shkurtër.

Fajon theksoi se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të jenë të zemëruar, dhe se ajo do tregonte hapur qeveritë e BE-së që nuk janë në gjendje të përmbushin premtimet. Ministrat e punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së mblidhen me 6 dhjetor në Bruksel. Shtyrja e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë u konfirmua të hënën nga komsioneri i BE-së, Johanes Hahn, i cili tha se koha e duhur për liberalizimin e vizave është viti 2020. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!