“Fajin për zgjedhjet nuk na e ka Rama”, Dash Sula thirrje Berishës: Nëse të dhimbset ende PD, tërhiqu!

schedule12:35 - 5 Qershor, 2025

schedule 12:35 - 5 Qershor, 2025

Nga foltorja e Kuvendit, në të cilën nuk do të jetë më ë 4 vitet e ardhshme, deputeti i PD, Dashnor Sula i kërkoi Berishës që të tërhiqet dhe t’i hapë rrugë Partisë Demokratike për të rindërtuar veten dhe për të gjetur rrugën drejt pushtetit.

Sula tha se PD është sot në përfaqësimin më të ulët të saj ndërsa shtoi se opozita i ka humbur zgjedhjet për shkak të vetvetes në radhë të parë, duhet ta pranojmë me zë të lartë brenda PD.

“Ndihem i lumtur që nuk do jem pjesë e teatrit për 4 vitet e ardhshme të kësaj salle e cila totalisht është shndërruar në teatër me dy aktorë, ata që luajnë rol pozitiv dhe negativë. Negativët janë aktorët e opozitës që do luajnë një rol që janë të kënaqur që do marrin rrogë për katër vite dhe që demokratët i lanë në harresë. Pas 30 vitesh angazhim ky është fjalimi që nuk do doja kurrë të mbaja në këtë sallë e aq më pak kur shoh PD në këtë gjendje të mjeruar në të cilën ndodhet sot. Për herë të parë nuk do flas për Ramën, sepse nuk dua të bëj atë që kam bërë për 4 vite me radhë, t’ia vëmë fajin tjetrit për gjithcka që na ndodh ne brenda PD.

E vërteta është kjo, opozita i ka humbur zgjedhjet për shkak të vetvetes në radhë të parë, duhet ta pranojmë me zë të lartë brenda PD. Jo sepse Rama fitoi ndershëm apo sistemi që vetë opozita votoi më 26 korrik 2024 është korrekt, por sepse nuk arritëm të bindim qytetarët. Sot PD është në përfaqësimin më të dobët të saj, vetëm 50 deputetë që janë të lumtur që do jenë rrogtar për 4 vitet e ardhshme.

Pas tre mandateve qëndrimi duhet të ishte më i fortë, ne humbëm edhe më thellë, pse ndodhi kjo? Nuk mjafton të thuash Rama na bleu votat na u manipuluan votat, sepse kemi humbur mbi 250 mijë vota krahasuar me 2021. Këtë nuk e bëri Edi Rama, por ne me dorën tonë. Le të hamendësojmë se Rama ka blerë 10 deputetë, sërish nuk do ishim fitues Problemi nuk është numri, por besimi i qytetarëve që është dëmtuar shumë rëndë . Cili është faji ynë, që kemi folur me njëri tjetrin, kemi ndarë PD në grupe por jo në vlera.

Faji ynë është që jemi marrë më shumë me njeri tjetrin sesa me qytetarët. Në vend të përfaqësojnë qytetarët, përfaqësuam interesat tona. Kjo është arsye pse demokratët nuk dolën në votime, nuk dolën me Ramën, por humbën besimin te ne. Atë që PS bëri, nxori kuajt politik të dërrmoheshin dhe të vriteshin me njëri tjetrin le ta themi kështu, për të siguruar vota. PD futi golloshat në lista të sigurta dhe në lista të hapura, njerëz anonim. Doktor hap rrugën, shijo jetën me familjen.

Unë ia kam bërë të qartë doktor Berishës edhe në mbledhje grupi, dhe i bëj thirrje nga foltorja e Kuvendit: Nëse të dhimbset ende kjo krijesë që ndërtove vetë, jepi drejtim, tërhiqu, ki besim te demokratët, jo si atëherë kur ia besove Benjaminit tënd dhe shkatërrove karrierën politike të Sokol Olldashit.
Ki besim se demokratët janë të mençur dhe do të dinë të zgjedhin atë që do t’i çojë drejt pushtetit. I ke dhënë gjithçka PD por shijo me nipërit e mbesat dhe hapi rrugë PD-së. Ta thash edhe më parë, mos dëgjo atë që ke pranë se do të të marrin në qafë dhe zbato urdhrin e gjykatës.” tha ai

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!