Fabian Topollaj: Anëtarësia e PD-së nuk e do Lulzim Bashën

schedule21:44 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 21:44 - 21 Dhjetor, 2018

Sipas ish-përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, anëtarësia e PD-së nuk e do kreun aktual të partisë. I ftuar në emisionin “Provokacija”, pedagogu tha se ka një ndryshim midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës dhe kjo është se të parin e donte anëtarësia.

“Unë nuk e kuptoj dot të jem pjesë e një partie ku ka vetëm një njeri. Në PD sot ka vetëm një njeri. Ai quhet Lulzim Basha. Ai bën çdo vendim. Ai përcakton kush duhet të jenë përfaqësuesit e kësaj partie. Ai ka qenë në kushtet që ka hequr edhe votën, të drejtën e anëtarëve për të zgjedhur anëtarin. Ju me të drejtë thoni që Sali Berisha ka pasur një autoritet më të lartë, por ai zgjidheshe nga anëtarët e partisë së tij. Unë besoj që këtu nuk kemi asnjë kundërshti të dy.

Pavarësisht se mund të kemi mendime të ndryshme se si drejtonte Sali Berisha, ne biem dakord për një gjë, që anëtarësia e PD-së e deshte Sali Berishën të ishte në krye të PD-së për sa kohë ai ishte atje dhe dha dorëheqjen. Sot jemi në kushtet krejt të tjera që ma bëjnë të pamundur që të qëndroj në PD. Sot jemi në kushtet që anëtarësia e PD nuk e do Lulzim Bashën që të jetë në krye dhe ai ka bërë një komplot. Diferenca është e jashtëzakonshme. Nëse demokratët e kishin gabim që i shkonin Sali Berishës me gabimet që ai kishte, ai ishte një gabim i përbashkët, edhe i kryetari dhe i anëtarit i asaj organizate. Sot mund të jemi në të njëjtat kushte, por anëtarët nuk e duan kryetarin”, tha Topollaj.

Topollaj tregoi në studion e emisionit se ishte tërhequr nga posti në Këshillin Bashkiak këtë të premte. Arsyet kanë qenë dy. E para se kundërshtari, në këtë rast Erjon Veliaj përdorte metoda ekstrapolitike, ndërsa së dyti kishte në krah një grupim politik që e ka penguar në të punuarit si opozitar.

“E kam pasur fare të pamundur që të përfaqësoja zgjedhësit e mi. Përballë kam pasur një kundërshtar që përdorte metoda ekstrapolitike. Fatkeqësisht në krah kam pasur një grupim politik që më tepër se më ka ndihmuar, më ka penguar që të bëj punën time të opozitarit.

Ka qenë mandati im i parë. Për të thënë dy arsye të forta se pse është fare e pamundur të ushtrosh mandatin tënd për një të zgjedhur është gjëja më e rëndë kur lë mandatin që ia kanë dhënë zgjedhësit e tij, por kur të gjitha kushtet janë që ti nuk e ushtron dot mandatin tënd unë mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë. Ishte një vendim personal. Ishte një vendim i vështirë sepse duket për një çast sikur është dezertim i fushëbetejës. Unë kam kohë që e kam shprehur midis kolegëve të mi në grupin e këshilltarëve të PD-së dhe gjej vendin t’iu them që shumë kolegë e mendojnë njësoj si unë. Arsyeja që nuk e bëjnë është për faktin që unë jam pak më i lirë. Nuk jam anëtar i PD-së”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!