Nuk mund të hidhnin një tjetër hap fals. Ashtu siç pritej “Blutë” e Chelsea nuk kanë zhgënjyer mbrëmjen e kësaj të mërkure, teksa në “Stamford Bridge” kanë mundur skuadrën e Leed United, me rezultatin e thellë, 3 me 2, në përballjen e vlefshme për fazën e 1/8-ve, të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Angli, FA Cup.
Për djemtë e teknikut, Mauricio Pochettino rrugën e rrjetës e gjetën, Nicolas Jackson, Mykhailo Mudryk e Connor Gallagher, të cilët shënuan në minutat 15’, 37’ e 93’, ndërsa për miqtë, në “Stamford Bridge”, topin në rrjetë e çoi talenti anglez, Mateo Joseph, me 20-vjeçarin e sulmit, që realizoi një dopietë në minutat 8’ e 59’.
Falë këtij rezultati të madh, “Blutë” e Chelsea tashmë shkojnë në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni, teksa në raundin e radhës kanë “peshkuar” një kundërshtar, jo fortë të lehtë, siç janë edhe “Dhelprat” e Leicester, të cilët pas rënies në Championship, janë sërish pranë rikthimit në elitë, teksa udhëheqin me 78 pikë, plot 6 më shumë se Leeds i vendit të dytë. /i.m /abcnews.al