Evropiani i shqiptarëve/ Spektakël dhe thyerje rekordesh, “Legjionarët” zënë vend në histori

schedule21:10 - 19 Qershor, 2024

schedule 21:10 - 19 Qershor, 2024

Nga Isildo Musta

Mund të kemi siguruar vetëm një pikë ama kemi dhuruar spektakël në fushë e në tribuna.

Kombëtarja “Kuqezi” vjen për herë të dytë në finalet e një Kampionati Evropian, kësaj here me pritshmëri më të larta dhe mund të themi se deri diku këto pritmshëri janë përmbushur, duke shënuar gola e duke dhuruar lojë të zjarrtë pavarësisht “gjigantëve” përballë.

Megjithatë, ajo çka nuk pritej ishin vendosja e rekordeve të reja, nga një Kombëtare modeste dhe këtë gjë deri më tani e kemi bërë plot tre herë, fillimisht në humbjen 2 me 1, ndaj Italisë, mbrëmjen e 15 qershorit, në “Signal Iduna Park” e më pas kundër vendit të 3-të të botës, Kroacisë, këtë të mërkurë në “Volksparkarena”

Fillimisht ishte Nedim Bajrami, i cili përfiton nga një gabim i Dimarco, në prapavijën italiane dhe me një goditje potente në cepin e djathtë të portës mposht portierin Donnarumma, vetëm 23 sekonda pas fillimit të sfidës, me “Të Kaltërit” e Italisë, kampionët në fuqi të Evropës.

Kështu, Nedim Bajrami mposhti rusin Dmitri Kirichenko, me një kohë shumë herë më të mirë, duke shënuar kështu golin më të shpejtë në historinë e një Kampionati Evropian, me Kirichenko, i cili kishte shënuar golin e tij brenda 1 minute e 7 sekondave, ndaj Greqisë, në fazën e grupeve, të Euro 2004, por nuk u ndalën me kaq.

Pavarësisht se mund të arrinim një fitore të madhe, “Legjionarët” e Kombëtares sonë u mjaftuan me barazimin 2 me 2, ndaj një përfaqësuesje të madhe si Kroacia, duke siguruar pikën e parë, në Kampionatin Evropian të Gjermanisë dhe shpresojmë të mos jetë e fundit, mirëpo siguroi edhe dy rekorde të tjera,

Klaus Gjasula hyri në fushën e lojës, si një përforcim në mesfushë, teksa zëvendësoi Qazim Laçin, në minutën e 72’-të dhe vetëm 4 minuta më pas Shqipëria pësoi dy gola, me golin e dytë që erdhi pikërisht nga Gjasula, me mesfushorin e Darmstadt, i cili dërgon topin në rrjetën e Strakoshës 76’-të, pas një devijmi të gabuar të topit.

Për disa momente, mund të themi se ishte lojtari më i “urryer” nga gjithë tifozët “kuqezi” anë e mbanë botë, ama gabimin e rikuperoi, në fund dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, ku pas një rrëmuje në zonën kroate dërgon sferën pas shpatullave, të Livakovic, duke na çuar “peshë” tifozët e stadiumit mitik, të Hamburgut.

Përveç se barazimit, goli i Gjasulës ishte që ka barazuar kundërshtarin, më vonë në historinë e një Kampionati Evropin, me kronometri, që ndaloi në kohën 94 minuta e 27 sekonda, në momentin që topi kaloi vijën fatale të kroatëve, por nuk mbaron me kaq.

Me dy golat e tij, fillimisht atë në portën e tij e më pas në atë kundërshtare, Gjasula u bë lojtari i parë në historinë e një turne madhor të futbollit, Kampionati Evropian apo Kupë Bote, që bën diçka të tillë, duke e çuar kështu në tre numrin e rekordeve të vendosura nga “Legjionarët”.

Dhe nëse kaq mendoni se mjaftojmë, ka ende, me “Kuqezinjtë” që kanë regjistruar një statistike të vlefshme për librat e historisë e që nuk shihej prej të paktën 20 vitesh në një sfidë Evropiani.

Sfida e sotme pa plot 17 tentativa në kuadratin e të dyja skuadrave dhe që prej kohës, kur statistikë filloi të regjistrohej në vitin 1980, vetëm një ndeshje tjetër në fazën në grupe ia kalonte duelit të sotëm të “Legjionarëve”, ajo Kroaci-Angli e zhvilluar po në fazën e grupeve, amë të Euro 2004, ku asoskohe u regjistruan 20 goditje në portë, me sfidën që u mbyll me fitoren 2 me 4, të “Tre Luanëve”, pas golave të Scholes, Lampard e një dopietë të Rooney.

Tashmë, me vetëm 1 pikë ëndrra e radhës është kalimi në fazën me eleminim direkt të një Kampionati Evropian dhe ndaj Spanjës, në sfidën e fundit të Grupit B, djemtë tanë do të tentojnë të bëhet më e mira, të paktën kështu na premtuan, sot pas barazimit me kroatët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!