Evropa e “pamëshirshme” me ekipet shqiptare, “të mbijetuarit” e vetëm Partizani, Ballkani e Struga

schedule11:16 - 4 Gusht, 2023

schedule 11:16 - 4 Gusht, 2023

Nga Isildo Musta

Mbrëmjen e së enjtes, që sapo lamë pas ka përfunduar totalisht raundi i dytë kualifikues i Conference League, raundi i cili nuk ka qenë shumë bujar për ekipet shqiptare, teksa u eleminuan plot 4 të tilla, Tirana, Shkupi, Drita e Dukagjini.

“Bardheblutë” e Tiranës patën padyshim sfidën më të vështirë atë ndaj “shqiponjave” të Besiktas. Në Stamboll u mundën me rezultatin 3 me 1 e humbje pësuan dhe në “Air Albania”, mbrëmjen e djeshme, kësaj radhe 0 me 2, pas golave të Daniel Amartey e Vincent Aboubakar, duke e mbyllur raundin me rezultatin e përgjithshëm 5 me 1, ndaj turqve, por mund të kishin pësuar edhe më shumë.

Fat pak a shumë të tillë patën dhe nënkampionët e Kosovës, Drita, të cilët u përballën ndaj çekëve të Viktoria Plzen, ekip ky me histori në arenën evropiane. Ndryshe nga “bardheblutë”, “dardanët” rezistuan goxha e madje arritën dhe të barazonin 0 me 0, në fushën çeke, mirëpo në “Fadil Vokrri” fati nuk ishte me ta dhe u mundën me rezultatin 1 me 2, me golat e Durosinmi e Jirka, që nxorrën të pavlefshëm “rrjetën” e Krasniqit.

Humbjen më poshtëruese në radhët e shqiptarve, padyshim që e pësoi skuadra e Dukagjinit, të cilët përballën kishin kroatët e Rijeka, skuadër kjo me potencë dhe goxha nivel, si në futbollin kroat, por edhe në Evropë. Përballja e parë në Kosovë përfundoi me një humbje të lehtë, 0 me 1, të vendasve, mirëpo në Kroaci, ndryshoi gjithçka me vendasit që fituan me rezultatin e thellë 6 me 1, pas tripletës së Ivanovic e golave të Pasalic, Goda e Djouahara, ndërsa golin e “nderit” për “dukagjinasit” e shënoi Iljasa Zulfiji.

Paraqitje të shkëlqyer, por pa fat në finalizime zhvilloi dhe skuadra e Shkupit, të cilët kundra kishin bullgarët e Levski Sofia, me këta të fundit, që kthehen pas një mungese të gjatë në arenën evropiane. Në Shkup përballja u mbyll me rezultatin 0 me 2 dhe në Bullgari maqedonasit u nisën në kërkim të një “mrekullie”, por një gol nga Marin Petkov prishi “ëndrrën” evropiane të Shkupit, duke i elemenuar nga faza e dytë e Conference League, me rezultatin e përgjithshëm 3 me 0.

Mirëpo, nuk ka vetëm zhgënjime, pasi janë dhe 3 ekipe të tjera, që presin fillimin e fazës së tretë kualifikuese të Conference League. Partizani, Ballkani e Struga bënë secila “detyrën”, respektivisht ndaj Atletic Escaldes, Larne e Buducnost, duke arritur kështu në fazën e parafundit kualifikuese, ku kësaj here fati duket t’i ketë “buzëqeshur.

“Demat e kuq” të Partizani do të përballen me letonezët e Valmiera, një përballje në “letër” e lehtë, por në rast se duan fitore, kryeqytetasit duhet të jenë më efikasë në finalizimin e aksioneve ndryshe nga çfarë bënë me andorrasit, pavarësisht se i mundën këta të fundit me rezultatin e thellë 4 me 1.

Në krahun tjetër, Ballkani i Ilir Dajës, duket se është drejt një kualifikimi të dytë në Conference League, teksa ndaj irlandezo-veriorëve të Larne ka treguar “dhëmbët”, duke i mundur me rezultatin e përgjithshëm 7 me 1. Një fitore 3 me 0 në Kosovë e pasuar nga një performancë “magjike” në Belfast, 1 me 4 mjaftoi për t’i kaluar “dardanët” në raundin e 3-të kualifikues ku kësaj radhe përballë do të kenë skuadra nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, short ky goxha i lehtë për kampionët e Kosovës.

Në fund është dhe Struga e Shpëtim Duros, të cilët pas një fitore minimale në Ohër, me rezultatin 1 me 0 u “çemndën” në transfertën malazeze të Buducnost, teksa arritën të dilnin fitimtar në një përballje me 7 gola, duke e mbyllur fazën kualifikuese me rezultatin, 5 me 3. Në raundin tjetër, Struga pret luksenburgasit e Hesperange, në një përballje ky do të synohet vetëm fitorja, për të arritur diçka historike, siç është dhe kualifkimi për herë të parë në një trune evropian.

Tashmë, nuk na mbetet që më shumë për të shtuar, përveç se për të pritur përballjet e datave 10 gusht e 17 gusht, për të mësuar nëse “ëndrra shqiptare” në Evropë do të vazhdojë apo do të ndalet si gjithmon në raundin e “parafundit”./abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!