Nga Mentor Kikia
Do të ishte një punë e vështirë të ktheheshim pas në histori, në një përpjekje për të gjetur arsye se përse ne shqiptarët ishim të fundit që u shkëputëm nga Perqandoria Osmane, apo pse ishim të fundit që u shkëputën nga komunizmi. Dhe, mbi të gjitha, përse, prej 30 vjetësh, ne jemi vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në kontinent, vendi me nivelin më të ulët të zbatimit të ligjit në kontinent, vendi me të ardhurat më të ulëta ekonomike në kontinent…
Ka patur arsye natyrore, se përse, psh, Sapiensët që u vendosën në Amerikën e Veriut, nuk u zhvilluan njësoj me ata që u vendosën në Euro-Azi. Në aspektin biologjik, Sapiuensët e vendosur në brigjet e Adriatikut, ku jemi ne sot, nuk kanë asnjë ndryshim nga ata që u vendosën në Gjermani, psh. Sepse “Sapiensët shqiptarë”, në mënyrë individuale dhe kur zhvillohen në habitate të “Sapiensave të tjerë”, janë qënie shumë të sukseshme. Ata bëhet shkencëtarë të mirë, këngëtarë dhe sportistë të famshëm, sipërmarrës të suksesshëm, qytetarë shumë të denjë… Ndërsa kur bëhen bashkë, çorganizohen. Nuk zbatojmë ligjet, rregullat, kufizimet e domosdoshme për një jetesë kolektive, nuk respektojmë shtetin, qytetin, komunitetin, individin…
Mbi të gjitha, kur një “Sapines shqiptar” hipën në pushtet, ai menjëherë mendon si të ishte një Sapines i para Revolucionit Agrokulturor, pra para viteve 12,000. Ai mendon se është prijës i fisit- tufës dhe sillet si i tillë. Ai mendon se ligjet dhe rregullat bëhen për të tjerët dhe jo për të. Dalëngadalë, prijësi i tufës mbledh rreth vetes indivitë të fuqishëm, muskulozë, dhe krijon gardën e tij, për të larguar nga pema ku ka hipur të tjerë që mund të mendojnë ti zënë vendin. Ai e mban mirë eksprtën e tij, lejon që ata të hanë më shumë fruta në pemë se të tjerët, i krijon mundësi që të kenë marrëdhënie me më shumë femra. Dhe këto privilegje, bëjnë që individët e eskortës të jenë gati të japin edhe jetën për prijësin e tufës së tyre.
Njerëzimi evoluoi dhe tufat dalëngadalë u shndërruan në shoqëri, formuan fshatra e qytete, krijuan kultura dhe qytetërime. Më pas miratuan ca rregulla, që prijësin ta zgjidhnin ata dhe ta hiqin, nëse shikojnë se ai merr më shumë “fruta” për vete dhe eskortën e tij. Dhe kështu, shekull pas shekulli, e mijëveçar pas mijëvjeçari, u arrit deri në ditët e sotme, me demokraci, ligje dhe rregulla të reja. Edhe ne evoluuam bashkë me Sapiensët e tjerë, por na ka mbetur mesaduket një atavizëm. Nuk duam rregullat dhe adhurojmë prijësin e tufës.
Në 30 vite tranzicion, ne kemi qarkulluar më pak se çdo shoqëri tjetër në Europë elita politike. Ashtu si njerëzit e lashtë hyjnizonin prijësat e tyre, edhe ne gati-gati i shikojmë si idhuj ata që na qeverisin. Ne nuk kërcejmë rreth një zjarrit, me një gjethe peme para organeve gjenitale, por kërcejmë përreth prijësave, u thurin këngë atyre, sepse ata kanë bërë një punë me paratë tonë, duke vjedhur gjysmat e tyre.
Në 30 vite tranzicion, ne kemi konkuruar me republikat dikatoriale afrikane për nga niveli i korrupsionit. Tashmë e kemi ngritur gati-gati në një lloj feje zhvatjen e fondeve publike nga ata që i kanë në dorë ti menaxhojnë për llogari të shtetit.
Kështu, sapo ne pëmendim sot një funksion publik: kryeministër, ministër, drejtor dogane, drejtor i rrugëve, drejtor i prokurimeve publike – menjëherë këtë pozicion e lidhim me mundësinë për të vjedhur paratë e shtetit. Për këtë arsye, pakkush sot mund të ëndërrojë që të bëhej drejtor i rëndësishëm në një sipërmarrje private, përballë karrierës në administratë, edhe pse pagesat shtetërore janë shumë herë më të ulëta. Kjo ka bërë që shoqëria jonë të duket e ndarë në dy pjesë: në ata që kanë të drejtë të jetojnë me mirë me paratë e atyre që punojnë, dhe ata që janë të detyruar të punojnë më shumë për të jetuar më keq.
Para pak javësh, “sapiensat socialistë” kujtuan me një festë të madhe ditën kur kopenë e tyre e nxorrën nga xhungla vrastare e komunzimit dhe e bënë shoqëri moderne europiane. Ata besojnë se prijësi aktual, është i zbritur nga Zotat në tokën tonë dhe ai ka një dhunti për të drejtuar.
“Sapiensët demokratë”, ndërsa hoqën qafe një prijës që nuk ishte në gjendje të luftonte e të fitonte me prijësin e tufës rivale, morën sërish prijësin plak dhe e ngjitën në pemë. Sepse edhe ata mendojnë se ai është gjithashtu i pajisur me veti të veçanta nga Zotat e tyre për këtë punë.
30 vjet pas “evolucionit” të madh ne do të përpiqemi ta zgjedhim prijësin tonë sërish mes tre indidëve që kanë 30 vjet që e prijnë tufën tonë, duke iu sjellë rotull e rrotull malit, për të mbërritur sërish aty ku u nisëm.
Biologjikisht ne nuk kemi nevojë të evoluojmë, por ne kemi nevojë të revolucionarizojmë marrëdhënin tonë me pushtetin dhe politikanët.