Evis Kushi këshillë fëmijëve: Mblidhni sa më shumë energji gjatë verës për vitin e ardhshëm shkollor

schedule09:54 - 6 Korrik, 2021

schedule 09:54 - 6 Korrik, 2021

Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ka përmbyllur me një këshillë vitin shkollor që lamë pas, për të gjithë nxënësit. Ajo shprehet se pushimet verore duhet t’i shijojnë sa më shumë që të shërbejë për të grumbulluar sa më shumë energji pozitive për vitin e ardhshëm shkollor.

Kushi shkruan se leximi apo edhe përsëritja e njohurive që kanë marrë gjatë vitit që lamë pas, do i ndihmojë nxënësit për të qenë gati për klasën pasardhëse.

“Të dashur nxënës! Së pari, është kënaqësi dhe krenari për të gjithë bashkë që këtë vit të vështirë shkollor arritëm ta mbyllim me sukses falë punës dhe këmbënguljes sonë të përbashkët!

Ndërkohë që pushimet verore tashmë kanë filluar, unë kam një këshillë për të gjithë ju. Shijojeni sa më shumë këtë verë, me lojra, me aktivitete sportive, por sidomos duke lexuar. Sezoni veror le të na shërbejë për të grumbulluar sa më shumë energji pozitive për vitin e ardhshëm shkollor. Leximi i librave apo edhe përsëritja e njohurive që keni marrë përgjatë vitit që lamë pas, do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të ndiheni gati për klasën pasardhëse. Prandaj, në asnjë moment mos iu ndani librit!

Ndërkohë që ne në Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, së bashku me të gjithë mësuesit tanë në të gjithë vendin, jemi angazhuar e do të punojmë fort që viti i ri shkollor të na gjejë sa më të përgatitur.

Me shpresën e mirë se viti i ardhshëm do të fillojë më i mbarë, unë ju uroj të gjithëve pushime të mbara në Shqipërinë tonë të mrekullueshme! Përqafime të gjithëve!”, shkruan Kushi. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!