Eurot në “Toyota”, si rezultojnë dy kushërinjtë Vladi në Belgjikë dhe Gjermani

schedule15:38 - 1 Maj, 2019

schedule 15:38 - 1 Maj, 2019

Alfred dhe Elvis Vladi, dy personat e dyshuar si porositësit e makinave “Toyota Yaris”, ku rreth 1 vit më parë u kapën 3.4 milionë euro rezultojnë të pastër penalisht në Belgjikë dhe Gjermani. ABC News ka siguruar përgjigjet e letërporosive e të ardhura nga këto dy vende pas kërkesave të drejtuara nga prokuroria shqiptare për informacion.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë informacionet e ardhura nga autoritetet belge dhe gjermane për dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, të dyshuar për aferën e 3.4 milionë eurove që u gjetën në makinat “Toyota Yaris” e sekuestruara rreth një vit më parë në portin e Durrësit.

Nga përgjigjet e kthyera nga drejtësitë e dy shteteve europiane rezulton se Elvis dhe Alfred Vladi janë të pastër dhe pa precedentë të mëparshëm penalë në këto dy shtete.

Burime për ABC News theksojnë se në letërporosinë e kthyer nga autoritetet belge është e zbardhur edhe dëshmia e shitësve të makinave që janë marrë në  pyetje për këtë ngjarje. Në deklarimet e tyre thuhet se ata kanë bërë një kontratë shitje të rregullt dhe se nuk disponojnë asnjë informacion në lidhje me paratë e gjetura brenda makinave.

Po ashtu, organi i akuzës shqiptare, nëpërmjet letërporosive i ka kërkuar informacion autoriteteve britanike në lidhje më këta dy persona.

Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se “Toyota Yaris”, ku ndodheshin paratë ishte porositur nga Alban Mollaymeri, që është i arrestuar. Mollaymeri, në deklarimet para grupit të hetimit, ka pohuar se ka një servis privat me makina dhe se “Toyotat” i ka porositur nëpërmjet të njohurit të tij, Alfred Vladit.

Nisur nga dëshmia e tij, prokuroria ka dyshime se “Toyota Yaris” është blerë nga Alfred Vladi dhe në rrethana ende të pazbardhura prej tyre, në dyert e makinës është fshehur edhe shuma e parave.

Për 3.4 milionë eurot që vinin në Shqipëri përmes portit të Durrësit janë arrestuar babë e bir Edi dhe Klevis Lika, Agim Caka, Alban Mollaymeri. Ndërsa kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi janë të shpalllur në kërkim./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!