Eurostat: Cilët janë pesë shtetet që dhanë më shumë leje qëndrimi për shqiptarët në 2020-n

schedule07:22 - 3 Nëntor, 2021

schedule 07:22 - 3 Nëntor, 2021

Italia, Gjermania, Greqia, Franca dhe Kroacia janë pesë shtetet që kanë dhënë më shumë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit e Shqipërisë gjatë vitit 2020, sipas një grafiku të fundit të publikuar nga Eurostat.

Në total në vitit 2020 shtetet e Bashkimit Europian dhanë 37.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. E para renditet Italia, me 13,059 leje. E dyta është Gjermania me 8,308 leje, e treta është Greqia me 7,768, e ndjekur nga Franca me 1,875 dhe Kroacia me 1,695 leje qëndrimi për herë të parë.

Të dhëna të tjera të Eurostat, të përpunuara më herët nga Monitor treguan se që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013.

Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, Polonia dha 598 000 nga 2.2 milionë lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna në BE për qytetarët jo-BE (26%). Polonia u pasua nga Gjermania (313 000, ose 14%) dhe Spanja (312 000, ose 14%).

601 200 ukrainas morën lejet e qëndrimit për herë të patë në vendet e BE-së në vitin 2020, duke i bërë ata grupin më të madh të shtetësisë midis të gjithë përfituesve. Polonia lëshoi 488 900 nga këto leje (81%).

Më pas renditen shtetasit e Marokut (123 400 leje, nga të cilat 56% u dhanë në Spanjë) dhe të Indisë (79 270, nga të cilët 14% u dhanë në Gjermani). Shtetasit e këtyre vendeve përbënin mbi një të tretën (36%) të të gjitha lejeve të qëndrimit të parë të lëshuara në vitin 2020./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!