Europiani U-19/ Përballja me Belgjikën, Cungu: Luajmë pa frikë, provojmë shanset për rezultat pozitiv

schedule14:50 - 20 Shtator, 2022

schedule 14:50 - 20 Shtator, 2022

Kombëtarja U-19 po përgatitet nga e enjtja e kaluar për sfidat zyrtare të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2023, ndeshje këto që do të zhvillohen në Belgjikë në datat 21-24 shtator. Takimi i parë i përfaqësueses kuqezi do të jetë kundër Belgjikës më 21 shtator, ndërsa tre ditë më vonë do të luajë kundër Spanjës.

Ekipi përfaqësues i drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në grupin 7 dhe përballë do të kenë bashkëmoshatarët e përfaqësueseve të Spanjës dhe Belgjikës.

Kuqezinjtë janë grumbulluar fillimisht në Durrës ku kanë zhvilluar disa seanca stërvitore dhe më pas kanë udhëtuar drejt Belgjikës, ku nesër do të luajnë edhe sfidën e parë ndaj vendasve. Cungu ka ftuar 20 lojtarë për këto dy sfida, ndërkohë që sipas teknikut gjendja e grupit është e mirë dhe gjithçka është gati për premierën në edicionin e radhës të Europianit për këtë moshë.

Në prononcimin e tij për Fshf.org, tekniku kuqezi është optimist për paraqitjen e skuadrës pavarësishts e përballë do të kenë dy ndër ekipet më të forta të Evropës, por edhe më gjerë. Për Cungun, ky grup premton për vazhdimësinë, teksa thekso se skuadra nuk duhet të ketë frikë, por duhet ta shijojë këtë eksperiencë, të prodhojë futboll dhe të tentojë deri në fund për të marrë rezultate pozitive.

Gjithashtu, për trajnerin është e rëndësishme që skuadra të tregojë entuziazëm dhe të tregojë vlerat që ka ndaj dy rivalëve prestigjiozë.

Situata e grupit – “Gjendja e grupit është optimale me ndonjë përjashtim të vogël të ndonjë lojtari ka shqetësime fizike, por do të jemi të kompletuar për ndeshjen e parë të eliminatoreve nesër. I referohem edhe përgatitjeve që kemi zhvilluar në Durrës , të gjithë djemtë kanë punuar mirë dhe më kanë lënë përshtypje të mira në vija të përgjithshme sa i përket pritshmërive. Është grup i ri i vitlindjes 2005 dhe 2006, janë lojtarë që premtojnë edhe për vazhdimësinë dhe grupi është solid dhe ka dëshirë të madhe për të luajtur futboll dhe arritur rezultate. Kjo është shumë e rëndësishme për mua si trajner.

Sfida me Belgjikën – “Ne edhe sot kemi pasur një analizë video, ku kemi studiuar në detaje kundërshtarin. Patjetër, është e tepërt të flasim për forcën e Belgjikës, por çdo ekip sado i fortë të jetë ka edhe dobësitë e veta. Ne kemi për detyrë për tentojmë të shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit, sikurse duhet të jemi shumë të kujdesshëm për forcën e Belgjikës dhe Spanjës, dy skuadra të niveleve më të lart botërore në të gjitha moshat. Në fund të fundit, është edhe një kënaqësi për djemtë që të luajnë futboll ndaj këtyre rivalëve, është një mundësi mjaft e mirë edhe për karrierën e tyre që të tregojnë vlerat dhe kjo eksperiencë do t’i ndihmojë djemtë të rriten dhe të bëhen më të fortë. Nëse duam të rritemi duhet të përballemi dhe të testojmë vlerat me ekipet më të forta në qarkullim dhe këtë duhet të shfrytëzojmë, duke shfaqur entuziazëm në lojën tonë”.

Pritshmëritë nga Europiani – “Jemi një grup i ri që premton edhe për vazhdimësinë, natyrshëm që kërkojmë të përgatisim lojtarë për të furnizuar ekipet e moshave dhe Kombëtaren A që është objektivi kryesor. Por krahas këtij objektivi ne njëkohësisht synojmë të marrim edhe rezultate sa më të mira në fushën e lojës, dhe në këto dy ndeshje, pavarësisht se kë kemi përballë, nuk do të heqim dorë nga kërkesat për të marrë rezultate pozitive. Dhe mbi të gjithë do të më pëlqente që të shikoja në fushën e lojës një ekip solid, me besim dhe pa ndjenja inferioriteti, duke prodhuar futboll të bukur. Nuk hyjmë në fushën e lojës me frikë, por duam t’i tregojmë të gjithëve se dimë të luajmë futboll dhe që kemi shumë vlera, sepse kjo është shumë e rëndësishme për mua si trajner”. /fshf.org