Europiani i lë skenën Conference League, debutojnë gjashtë ekipe shqiptare

schedule09:16 - 8 Korrik, 2021

schedule 09:16 - 8 Korrik, 2021

E sotmja është një ditë e mbushur me futboll klubesh në vendin tonë. Gjashtë skuadra nga trojet shqiptare zbresin në fushë për të luajtur raundin e parë të kompeticionit më të ri, Conference League.

Dita nis me zbritjen e Strugës në fushë në orën 16:00. Skuadra shqiptare, e cila debuton në kompeticionet europiane luan në transfertë ndaj lituanezëve të FK Liepaja.

Ndërkohë në orën 20:00 luhen tre ndeshje të tjera mjaft të rëndësishme dhe interesante. Llapi dhe Shkupi sfidojnë njëra-tjetrën në një duel mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut. Ndeshja e sotme luhet në Shkup.

Nënkampionët e Kosovës, Drita, sfidon skuadrën nga fqinjët e Malit të Zi, FK Decic Tuzi, me dardanët, që shkojnë si favoritë. Ndeshja e parë luhet në Gjilan.

Në fushë zbret edhe Partizani. Të kuqtë e Ilir Dajës luajnë në “Elbasan Arena” një duel të vështirë ndaj moldavëve të Sfintul Gheorghe. Një ndeshje shumë e fortë kjo, duke kujtuar që Teuta u mund me “poker” dje nga një tjetër skuadër moldave.

Në skenë në orën 21:00 ngjiten edhe nënkampionët e Shqipërisë, Vllaznia. Shkodranët luajnë gjithashtu një duel mes të barabartësh ndaj boshnjakëve të Siroki Brijeg në Bosnje. Skuadra ka pësuar ndryshime dhe mbetet të shihet sesi do shfaqen në fushë djemtë e Thomas Brdaric. /abcnews.al

Conference League, raundi i parë
16:00 | Liepaja-Struga
20:00 | Shkupi-Llapi
20:00 | Drita-Decic Tuzi
20:00 | Partizani-Sfintul Gheorghe
21:00 | Siroki Brijeg-Vllaznia