Europa po digjet, flakët dhe thatësira sjellin “ferrin” në kontinent

schedule12:04 - 14 Korrik, 2022

schedule 12:04 - 14 Korrik, 2022

Europa është prekur nga temperaturat ekstreme të cilat kanë shkaktuar zjarrë dhe djegien e mijëra hektarëve. Zjarret vazhdojnë të shpërthejnë në pjesën më të madhe të Europës mes një vale të nxehtit ‘mbytës’ me temperatura që tashmë janë rritur në 45 gradë celcius dhe pritet të rriten edhe më shumë gjatë ditës së sotme, sipas Daily Mail.

Portugalia është shkatërruar nga flakët e shumta që kanë pushtuar lagjen e Quinta do Lago ku pronat shiten nga 1 milion deri në 9.5 milion paund, ku gjithashtu ndodhet edhe shtëpia e yjeve si Roman Abramovich , Duncan Bannatyne, John Terry dhe Steven Gerrard.

Në pamjet e postuara, shihet se si flakët kanë përfshirë resortin luksoz, duke shkatërruar shtëpi dhe fusha golfi, ndërsa turistët britanikë po përpiqeshin të dëshpëruar të largoheshin.

Temperaturat e lartë kanë shkaktuar zjarre të shumta gjithashtu edhe në në Spanjë, Francë, Turqi dhe Kroaci. Agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës AEMET tha se ata presin që ditën e sotme të shënohet dita më e nxehtë, duke shënuar mbi 46 gradë Celcius, raporton abcnews.al.

Pjesa më e madhe e Spanjës është vendosur në gatishmëri të lartë të mërkurën dhe AEMET tha se disa rajone si Andaluzia në jug, Extremadura në jugperëndim dhe Galicia në veriperëndim janë më të prekurat. Përtej kufirit në Portugali, zjarret kanë shkatërruar rajone, shtëpi, biznese dhe fusha golfi.

Një person ka humbur jetën si pasojë e zjarreve. Në Leiria, Portugalia qendrore, vendasit janë përpjekur të shpëtojnë fshatin ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen.

“Zjarrfikësit mbërritën shumë më vonë. Dukej si fundi i botës”, tha një nga banorët.

Në rajonin jugor të Algarve, shumë i populluar nga turistët, ka shpëthyer një zjarr në qytetin e Faro, duke u përhapur në resortin luksoz Quinta do Lago.

Rreth gjysma e Portugalisë e goditur nga thatësira është në alarm të kuq për shkak të temperaturave ekstreme të nxehtësisë të enjten, me temperaturat më të larta që priten të regjistrohen në rrethet Santarem dhe Castelo Branco, tha instituti i motit IPMA.

Të paktën 135 njerëz kanë pësuar lëndime kryesisht të lehta që nga fillimi i zjarreve në Portugali javën e kaluar dhe rreth 800 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, sipas Autoritetit të Mbrojtjes Civile.

Në Francë, më shumë se 2,700 hektarë janë djegur deri më tani në rajonin e Gironde, tha prefekti Buccio për BFM TV. Më i madhi nga dy zjarret është rreth qytetit të Landiras, në jug të Bordeaux, ku rrugët janë mbyllur dhe 500 banorë janë evakuuar.

Tjetra është përgjatë bregut të Atlantikut, afër Dune du Pilat – duna më e lartë e rërës në Europë, e vendosur në zonën e Gjirit Arcachon. Rreth 6,000 persona janë evakuuar nga pesë kampingjet përreth. “Kampistë të tjerë na zgjuan rreth orës 4.30 të mëngjesit. Na u desh të largoheshim menjëherë dhe të zgjidhnim shpejt se çfarë të merrnim me vete”, tha Christelle, një nga turistët e evakuuar, për BFM TV.

Në prag të Ditës së Bastiljes, prefektura e Girondës ka ndaluar të gjitha fishekzjarrët deri të hënën në qytete dhe fshatra në afërsi të pyjeve. Javën e kaluar, një ortek i shkaktuar nga shembja e akullnajës më të madhe në Alpet italiane për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta shkaktoi 11 viktima.

Në Greqi, dy persona humbën jetën pasi një helikopter me katër anëtarë të ekuipazhit në bord u rrëzua në det, thanë të enjten roja bregdetare dhe shërbimi zjarrfikës. Dy burrat, nga Rumania dhe Moldavia, u gjetën pa ndjenja në ujë në ishullin Samos të mërkurën në mbrëmje dhe u dërguan në spital, por nuk arritën të shpëtonin.

Ndërkohë në Turqi, mijëra persona janë evakuuar për shkak të një zjarri në gadishullin jugperëndimor Datca.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive të Turqisë (AFAD) tha se rreth 450 shtëpi dhe 3,530 njerëz u evakuuan pasi zjarret u përhapën në zonat e banuara.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!