Europa përjeton pranverën më të thatë, maji shënon temperaturat më të larta globale

schedule08:12 - 11 Qershor, 2025

schedule 08:12 - 11 Qershor, 2025

Europa veriperëndimore ka kaluar një pranverë të jashtëzakonisht të thatë, ndërsa muaji maj i vitit 2025 është regjistruar si i dyti më i ngrohti në nivel global, sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S).

Sipas “The Guardian”, disa vende europiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë përballur me mungesë të konsiderueshme reshjesh në muajt e fundit. Thatësira ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e ujit në stinën e verës, ndërkohë që fermerët raportojnë dëme të mëdha në të mbjella.

Rekord temperaturash dhe paralajmërime klimatike

Të dhënat tregojnë se në maj 2025 temperatura mesatare globale e ajrit arriti në 15.79°C – një rritje prej 0.53°C krahasuar me mesataren e periudhës 1991–2020 dhe 1.4°C më e lartë se mesatarja e periudhës paraindustriale (1850–1900).

Carlo Buontempo, drejtor i C3S, theksoi se:
“Maji 2025 shënon fundin e një serie të gjatë muajsh me temperatura mbi 1.5°C në krahasim me periudhën paraindustriale. Megjithatë, kjo nuk përbën një kthesë – presim që ky prag të tejkalohet sërish për shkak të ngrohjes së vazhduar të sistemit klimatik.”

Pragu prej 1.5°C është objektivi kyç i Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015. Megjithëse ky kufi matet në një periudhë shumëvjeçare, tejkalimi i tij për një vit tregon për përshkallëzimin e krizës klimatike.

Thatësira të përhapura globalisht

Sipas të dhënave të Copernicus, në maj 2025 moti i thatë ka dominuar jo vetëm në Europë, por edhe në shumë rajone të tjera të globit. Në mënyrë të veçantë, Europës veriore dhe qendrore, rajonet jugore të Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë u regjistruan me nivele reshjesh më të ulëta se mesatarja. Kjo ishte gjithashtu pranvera me më pak lagështi të tokës në Europën veriperëndimore që nga viti 1979.

Kushtet e thata u vunë re edhe në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut, Bririn e Afrikës, Azinë Qendrore, Australinë jugore, Afrikën jugore dhe Amerikën e Jugut.

Në të njëjtën kohë, sipërfaqja ujore e Atlantikut verilindor shënoi temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë, sipas matjeve të Copernicus  një tjetër tregues alarmant i përkeqësimit të ngrohjes globale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!