Europa në këmbët e Ajaksit

schedule13:59 - 17 Prill, 2019

schedule 13:59 - 17 Prill, 2019

Jehonë e madhe në Europë pas kualifikimit të Ajaksit në Champions. Skuadra holandeze u vlerësua lart për futbollin total dhe dominimin ndaj Juventusit.

Kur kjo skuadër del në skenë, historia ndryshon. Ajaksi e bëri në vitet 1970-1973 me Johan Krujfin në krye, duke shpikur futbollin total të trajnerëve Kovaç e Rinus Mishels.

E vazhdoi në 1987 me brezin e Van Bastenit, në 1992 me Bergkampin e vëllezërit De Bur, si dhe në 1995 me Kluivertin, Overmarsin e veteranin Rajkard. Nuk dihet nëse ky brez i ri i mrekullueshëm do t’i japë një tjetër Champions klubit të shquar të Holandës, por një gjë është e sigurt se e kanë arritur.

Admirimin dhe respektin e gjithë Europës, tërësisht të mahnitur nga futbolli sërish total, që dominoi edhe Juventusin pasi shkatërroi Realin. Luftoi “Davidi” me “Goliadhin”, një klub me buxhet shumë herë më të vogël se gjigandët, që ka shpenzuar fare pak, dhe që tregoi se një skuadër e madhe nuk ndërtohet vetëm me para, por sidomos me shkollë futbolli.

Gazeta holandeze “De Telegraf” titulloi: Ajaksi sensacional në gjysmëfinalen e Championsit! Amsterdamasit, mes më të mirëve të Europës pas fitores me Juven!

Gazeta tjetër,  “Algemeen Dagblad”: Ajaksi shkëlqen në Torino! Tani shuhen kartonë, do të luhet pa të pezulluar në gjysmëfinale!

“I kaluam sërish limitet tona, – tha trajneri Erik Ten Hag pas arritjes në gjysmëfinale, – ky kualifikim është i rëndësishëm për futbollin holandez. Ajaksi po kthehet. Patëm shumë raste për gol, dhe duhej të kishim fituar më thellë, por jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë rezultat”.

Nuk dihet gjithsesi, sesa po kthehet Ajaksi, pasi sezonin e ardhshëm mund të ikin ndoshta të gjithë yjet, De Jongu, Neresi dhe vetë kapiteni Matijs De Ligt.

De Ligti pohoi se ishte tepër i lumtur pas fitores në Torino dhe kualifikimit, duke shtuar se Ajaksi i tregoi sërish botës se çfarë është në gjendje të thotë.  Kapiteni nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të shkonte tek Barcelona sezonin e ardhshëm, por buzëqeshja e tij tha gjithçka.

Po italianët si e përjetuan eleminimin?

“Do të kisha dashur që ta kisha luajtur këtë ndeshje pa mungesa, – u mbrojt Alegri, – kishim 4 apo 5 lojtarë jo në dispozicion, ndërsa Rugani e Bonuçi u lodhën pas 50 minutash. Ajaksi e meritoi kualifikimin, edhe pse përfitoi nga dobësia jonë. Kristiano Ronaldo dha gjithçka, por në Champions duhet gjithë skuadra, jo vetëm një lojtar. Do të qendroj tek Juventusi edhe vitin e ardhshëm”.

Ronaldo sërish bëri të vetën duke shënuar një tjetër gol, ashtu si ndeshjen e parë, por që nuk mjaftoi.

“La Gazeta delo Sport”: Fund i garës! Juve, lamtumirë Champions, leksion nga bebja Ajaks!

“Tutosport”, një gazetë e Torinos, tifoze e Juves komenton: E drejtë kështu! Ajaks i madh! Alegri qendron!

Dështimi në Champions do të thotë edhe humbje e madhe financiare. “La Gazeta delo Sport” njofton se eleminimi kushton 13 milionë euro, por edhe rënie 24 për qind e titullit në bursë. Vetëm fitorja e Serisë A dhe e Kupës së Italisë nuk mjafton për “Zonjën e Vjetër”, sidomos me investimin e bërë për Ronaldon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!