Një tjetër supersfidë luhet sot në Ligën e Kampionëve. Paris Sen Zhermeni pret Realin e Madridit, dhe kërkon një përmbysje për t’u kualifikuar për në çerekfinale.
Qyteti i dritave kërkon krenarinë edhe në futboll.
Parisi njihet si kryeqytet i botës, si qendra e kulturës, por dëshiron të jetë edhe numri 1 në lojën më popullore të globit.
Fitorja dhe përmbysja e madhe e Paris SG ndaj Realit mund të jetë rasti I duhur, dhe gjithë qyteti me gati 10 milionë banorë duket sikur po jeton me ndeshjen e Championsit.
Tifozët, të mëdhenj e të vegjël, të çdo profesioni e niveli shoqëror, sikur e kanë përqëndruar vëmendjen tek stadiumi “Park dë Prinses”.
Skuadra e trajnerit Unai Emeri i dha dorën e fundit përgatitjeve për duelin që luhet sot në orën 20:45, ndërsa detyra pritet shumë e vështirë.
Duhet përmbysur humbja 1-3 në “Bernabeu”, aq më tepër pa Nejmarin, por të paktën Mbape duket se do të jetë gati.
A shpreson trajneri spanjoll që kundërshtari të ketë mungesa?
Emeri: “Unë dua që të luaj kundër lojtarëve më të mirë të Realit. Suksesi ynë nuk varet nga kundërshtari, ndonëse mungesat edhe mund të ndihmojnë, por varet nga loja jonë. Është një rast i madh për të bërë një hap përpara. Është një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, një moment unik për tifozët parizienë dhe për të gjithë Francën. Nuk mund të flas për formacionin, por Di Maria e njeh Championsin, po ashtu Mota dhe Diarra janë gati”.
Një nga lojtarët me më shumë përvojë, Dani Alvesh, thotë se Reali fitoi në mënyrë të pamerituar në Madrid.
Dani Alvesh: “Nuk mendoj se është ndeshja më e vështirë për t’u zhvilluar, por jam I bindur se është një ndeshje shumë e vështirë. Ne kemi përballë një ekip të madh, por problemi ynë kryesor në ndeshjen e parë ishte mungesa e përvojës. Ne luajtëm shkëlqyeshëm 80 minuta, por ata na mundën për vetëm 10 minuta. Ne duhet të jemi të përqëndruar maksimalisht dhe të tregojmë se dimë të fitojmë në Champions”.
Madrilenët arritën në Paris, padyshim me tjetër mendim.
Kampionët e Europës janë të bindur se suksesi i ndeshjes së parë të turit të dytë ishte I merituar, por edhe të ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka përfunduar.
Në stadiumin luksoz, “Park dë Prensis” do të luhet një tjetër dramë, në një ambiet shumë armiqësor.
Trajneri Zinedin Zidan, shqetësohet jo vetëm të përgatisë lojtarët teknikisht, por edhe psikologjikisht duke kërkuar të harrojnë Nejmarin.
Zidan: “Mungesa e Nejmarit nuk ndryshon asgjë, por edhe ndryshon gjithçka, sepse ai është një futbollist I jashtëzakonshëm. Them se nuk ndryshon gjë pasi në vend të tij do të luajë dikush tjetër, po ashtu shumë I talentuar, dhe shumë i motivuar, që do të përpiqet të japë maksimumin për të siguruar vendin në formacion. Kemi përballë një kundërshtar shumë cilësor. Ndërkaq, nuk dua të them gjë për formacionin, nëse do të luajnë Modriç apo Kros. Parimi im I vetëm është që një lojtar nuk luan kur nuk është në 100 për qind”.
Gjyqtar do të jetë Feliks Brih, një gjerman me të cilin Reali nuk ka pasur shumë fat.
A kanë frikë madrilenët?
“Nuk mendoj se protagonizmin në ndeshje duhet ta marrë arbitri. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë moment. Janë përballë dy ekipe të mëdhenj, nga më të mirët në botë, dhe secili dëshiron të jetë protagonist. Shpresojmë vetëm që arbitri ta bëjë punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme”. /abcnews.al