Euro 2025 për vajza/ Kombëtarja vijon me përgatitjet, Qëndresa Krasniqi humb dy ndeshjet me Norvegjinë

schedule17:36 - 22 Tetor, 2024

schedule 17:36 - 22 Tetor, 2024

Shqipëria e vajzave ka nisur prej të dielës përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare kundër Norvegjisë, të vlefshme për raundin e parë të Europianit “Zvicër 2025”.

Në drejtimin e trajnerit Armir Grima, skuadra kuqezi po kryen përgatitjet në qytetin e Shkodrës. Ekipi zhvilloi pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore. Grupit i është bashkuar mbrëmjen e sotme edhe tre futbollistet Florentina Kuqi, Alma Hilaj dhe Aglia Iliadhi, të cilat do të stërviten nesër me ekipin.

Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesja Qëndresa Krasniqi nuk do të jetë pjesë e ekipit kuqezi dhe nuk do të japë kontributin e saj në këto sfida për shkak të një dëmtimi që ka pësuar në ndeshjen e fundit të luajtur me klubin e Baselit.

Skuadra do të vijojë me përgatitjet deri pasditen e së enjtes. Ndeshja e parë do të luhet në Shkodër, më 25 tetor në ora 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet më 29 tetor, në stadiumin “Ullevaal” të Oslos, në ora 19:00.

Federata e Futbollit fton të gjithë tifozët shqiptarë të mbështesin Kombëtaren e vajzave në këto dy ndeshje mjaft të rëndësishme. Prania e tyre në stadiumin “Loro Boriçi” më 25 tetor do t’i jepte më shumë zemër ekipit për të kaluar me sukses këtë sfidë. Hyrja në stadium do të jetë falas. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!