Euro 2024/ Trajneri Sylvinho zbardh listën e lojtarëve për dy “finalet” e nëntorit

schedule12:10 - 10 Nëntor, 2023

schedule 12:10 - 10 Nëntor, 2023

Moldavia dhe Ishujt Faroe janë dy kundërshtarët e fundit të Kombëtares shqiptare në fushatën e ndeshjeve kualifikuese, të vlefshme për një vend në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë nisin grumbullimin zyrtarisht të hënën e 13 tetorit, teksa trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka thirrur plot 24 lojtarë për këto dy takime.

Tekniku brazilian ka vendosur të mos bëjë ndryshime në portë, mbrojtje e mesfushë, duke i besuar të njëjtëve futbollistë të thirrur edhe në ndeshjet e kaluara të Kombëtares. E vetmja risi e Silvinjos është rikthimi i Arbnor Muçollit në radhët e kuqezinjve. Sulmuesi shqiptar po kalon një formë mjaft të mirë në radhët e skuadrës së Göteborg në Suedi.

Sakaq, të gatshëm për të mbrojtur portën kuqezi, trajneri Silvinjo do të ketë Etrit Berishën, Thomas Strakoshën e Elhan Kastratin. Emrat që përbëjnë repartin e mbrojtjes janë Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Ivan Balliu Campeny, Elseid Hysaj, Federic Veseli, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj. Në mesfushë e sulm, tekniku i Kombëtares shqiptare ka thirrur plot 14 lojtarë, duke nisur nga Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Arbnor Muja, Arbnor Muçolli, Sokol Cikalleshi e Mirlind Daku.

Trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë për mediat nesër (11 nëntor, ora 11:00 në Shtëpinë e Futbollit) për të folur në lidhje me listën dhe dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në këtë rrugëtim, ndërsa skuadra do të jetë e plotë në grumbullim duke filluar nga data 13 nëntor.

Futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre do të paraqiten në grumbullimin që do të bëhet në Tiranë nga e diela, ndërsa seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”.

Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij muaji në transfertën e Moldavisë më datë 17 nëntor, më sfidën që nis në ora 18:00, ndërsa më datë 20 nëntor Kombëtarja do të presë në stadiumin ‘Air Albania’ përfaqësuesen e Ishujve Faroe, për të përmbyllur kështu këtë edicion të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”./ h.ll/abcnews.al