Tirana Fun Zone rikthehet sërish në qendër të Tiranës. Gjatë një muaji Sheshi Skënderbej do të jetë një hapësire e dedikuar ku qytetarët do të mund të ndjekim ndeshjet e Euro2024 përmes një ekrani gjigand dhe të përjetojnë emocionet që do të dhurojë kombëtarja shqiptare.
Në shesh po bëhen punimet e fundit.
Fun Zone këtë vit është konceptuar në formën e një ministadiumi, ku gjithë do të mblidhen rreth ekranit për të ndjekur sfidat e Europianit. Ky kompeticion është dhe më emocionues për Shqipërinë, pasi për herë të dytë në këto finale merr pjese edhe kombëtarja kuqezi.
“Hyrja do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët që duan të marrin pjesë. Gjithashtu do të kemi edhe një Fun Zone tjetër në stadiumin Selman Stërmasi.”
Atmosfera argëtuese nuk do të mungojë asnjë moment në sheshin Skënderbej. Në festimet deri ne mes te korrikut do ketë vend jo vetëm tifozët dhe futbolldashësit.
“Në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera argëtuese në skenën që aktualisht po ngrihet. Gjatë ditëve që nuk do zhvillohen ndeshje do të ketë të ftuar artistë të ndryshëm, këngëtarë DJ me performancë të ndryshme për të gjallëruar më shumë qendrën e Tiranës. Hapësira është e konceptuar të jetë më përfshirëse dhe dinamike në tërësinë e saj.”
Organizatorët e bashkisë së Tiranës synojnë që sheshi Skënderbej nga data 14 qershor deri në mbylljen e kompeticionit të rëndësishëm të futbollit në 14 korrik të kthehet në një atraksion.
“Jo vetëm për qytetarët vendas por edhe të gjithë turistët që do të ndodhen në Tiranë përgjatë këtij muaji të cilët do të kenë mundësi të ndjekin skuadrën e tyre të zemrës”.
Tirana Fun Zone pritet të mbyllet me koncert, ku skenë do të ngjiten këngëtarët më të dashur për publikun shqiptar.
/abcnews.al