EURO 2024/ “Kërcënohet rekordi”, në Gjermani janë shënuar 10 autogola deri tani, edhe 3 ndeshje për të arritur nivelin historik

schedule19:16 - 7 Korrik, 2024

schedule 19:16 - 7 Korrik, 2024

Nuk është ende më i veçanti, por shpejt mund të bëhet.

Euro 2024 ka arritur t’i afrohet rekordit të autogolave të shënuar në një turne të tillë në histori, ndërsa i mbeten edhe tri ndeshje deri sa të mbyllet.

Në Gjermani këtë verë janë shkaktuar 10 rrjeta të tilla fatkeqe, thuajse i njëjti nivel si ai i Evropianit të kaluar mbajtur në 2021, më së shumti në stadiumet angleze, por edhe në qytete të tjerë të Europës, si në Gjermani, Itali apo Danimarkë.

Atëherë pati 11 momente të tilla.

Gjithçka nisi me autogolin e shkaktuar nga Antonio Rudiger në portën e Gjermanisë, që fitoi 5-1 ndeshjen e parë të Euro 2024, në “Allianz Arena” të Mynihut kundër Skocisë.

I dyti autogol ishte ai i mesfushorit kuqezi, Klaus Gjasula, i cili dërgoi pafatësisht topin në portën e Strakoshës në ndeshjen kundër Kroacisë në grupin B.

Gjasula u bë rekordmen sepse në të njëjtën ndeshje realizoi edhe gol, atë për barazimin 2-2.

Mbrojtësi italian Calafiori vendosi ndeshjen Spanjë-Itali në të njëjtin grup, teksa një tjetër autogol vendosi fatin e një sfide, ai i austriakut Wieber në duelin kundër Francës.

Malen i Holandës e dërgoi topin në rrjetën e tij në duelin kundër Austrisë, të humbur 2-3 gjithashtu në grup.

Hranac i Republikës Çeke vazhdoi këtë seri në duelin ndaj Portugalisë, ndeshje fituar 2-1 nga luzitanët, teksa autogolat në Grupin F u mbyllën nga mbrojtësi turk, Samet Akaydin, sërish kundër Portugalisë që fitoi 3-0.

Në raundin e dytë traditën e vazhdoi mbrojtësi spanjoll, Le Normand kur Gjeorgjia kaloi papritur në avantazh, për t’u mundur pastaj 4-1, ndërsa autogol përcaktues ishte ai i mbrojtësit belg, Vertonghen, që i dha Francës fitoren 1-0 dhe kualifikimin në çerekfinale.

I fundit, ishte ai i përballjes së fundit çerekfinale, kur Muldur ndihmoi Holandën të dyfishonte rezultatin ndaj Turqisë, e në fund “Tulipanët” ia dolën 2-1.

Skuadra që ka përfituar më shumë nga golat e kundërshtarit në portën e tij mbetet Portugalia, me dy raste të tilla, ndërsa ekipi më fatkeq, është Turqia që ka shkaktuar dy autogola. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!