Euro 2020: Kroaci-Spanjë supersfida, Zvicra pengesa që duhet të kalojë Franca

schedule09:18 - 28 Qershor, 2021

schedule 09:18 - 28 Qershor, 2021

Sot zhvillohen dy ndeshjet e radhës ta raundit të 1/8-ve në Euro 2020. Kroacia dhe Spanja do të zbresin në fushë në orën 18:00. Një përballje tepër e fortë do të luhet në “Parken Stadium” të Kopenhagenit.

Dejan Lovren (i pezulluar) dhe Ivan Perisic (koronavirus) janë mungesat e nënkampionëve të botës, teksa Luis Enrique i ka të gjithë lojtarët të gatshëm.

Takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve është zhvilluar në nëntorin e vitit 2018. Luhej për Nations League dhe Kroacia fitonte 3-2. Morali te dy ekipet është i lartë, pasi vijnë nga sukseset që sollën kualifikimin. Në lojë është një post në tetë skuadrat më të mira të Euro 2020.

Kush kualifikohet do të ketë përballë fituesin e çiftit Francë-Zvicër, ndeshje që do të luhet në darkë (21:00) në “Arena Nationala” të Bukureshtit. “Gjelat” e Deschamps janë favoritë, por kombëtarja helvete nuk ka asgjë për të humbur dhe do tentojë surprizën.

Dy ekipet janë ndeshur për herë të fundit mes tyre pesë vite më parë. Luhej për Euro 2016, ishte ndeshja e grupit A, aty ku bënte pjesë edhe kombëtarja e Shqipërisë, dhe sfida mbyllej pa fitues dhe pa gola. Disa mungesa ka Franca sot, ndërsa Petkovic i ka të gjithë të gatshëm në krahun tjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!