Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, foli në ABC e mëngjesit për situatën epidemiologjike në vend si edhe fushatën e vaksinimit.
Tomini sqaroi se kur duhet aplikuar vaksina anti-Covid tek ata persona që e kanë kaluar.
“Thirrja për të aplikuar bëhet nga mjeku i familjes. I bëhet thirrje popullatës ose individëve edhe pse ka një skedar për të cilët ka historik. Pra i bëhet thirrje popullatës ose individëve nëse janë dakord për të aplikuar këto momente ose jo.
Lexo edhe: Përse nuk janë vaksinuar grupet e riskut? Përgjigjet Eugena Tomini
Duhet theksuar se brenda 3 muajve pas kalimit të shenjave klinike të Covid pavarësisht moshës nuk rekomandohet kryerja e vaksinës sepse individi në mënyrë natyrale ka antikorpe. Ndërkohë në periudhën 3-6 muaj është e rekomandueshme pavarësisht se sipas studimeve të pjesshme imuniteti natural mund të qëndrojë 6 deri në 8 muaj, sigurisht bëhet e rekomandueshme aplikimi i vaksinës”, u shpreh Tomini.
Gjithashtu zëvendësministrja e shëndetësisë foli për vaksinat Pfizer që mbërritën ditën e djeshme, duke theksuar se priten sasi të tjera të vaksinave anti-Covid.
“Ditën e djeshme kanë ardhur 230 mijë doza të vaksinës anti-Covid. Kjo sasi është në kuadrin e kontraktimit me Pfizzer dhe sasi të tjera janë në proces për të ardhur sipas planit të kontraktimit me strukturën Pfizer. Ky muaj përkon edhe me ardhjen e sasive të tjera të vaksinës jo vetëm të instrumentit Covix , por edhe të Sinovax që janë të programuara në çdo dy javë për të ardhur përsëri gjatë muajit prill.
Gjithashtu në proces është edhe vaksina ruse që pritet po këtë muaj. Pra krijohet një lloj stoku e vaksinës për të kaluar më pas në grupmosha që janë të domosdoshme për planin ndërkombëtar të vaksinimit. Sigurisht vaksinimi do të përvijojë edhe me klinika sepse kemi miniklinika të strukturave shëndetësore për të cilat janë miratuar lista të personelit shëndetësor që kanë mbetur pa u vaksinuar”, tha Tomini.
Gjatë bisedës në studio ajo theksoi se programi i vaksinimit do të vijojë me zvogëlimin e moshës, duke zbritur në moshën 65+ me sëmundje bashkëshoqëruese dhe 60+ të cilët kanë sëmundje bashkëshoqëruese.
/abcnews.al/