Etiopia është në luftë me veten, çfarë duhet të dini mbi konfliktin e përgjakshëm

schedule15:10 - 5 Nëntor, 2021

schedule 15:10 - 5 Nëntor, 2021

Nga Eliza Mackintosh, CNN

Kur kryeministri etiopian Abiy Ahmed mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2019 , ai u lavdërua si një paqe-bërës rajonal. Tani, ai po kryeson një luftë të stërzgjatur civile që ka shenjat dalluese të gjenocidit dhe ka potencialin për të destabilizuar rajonin më të gjerë të Bririt të Afrikës. Në nëntor 2020, Abiy urdhëroi një ofensivë ushtarake në rajonin verior të Tigray dhe premtoi se konflikti do të zgjidhej shpejt. Një vit më pas, luftimet shkaktuan mijëra viktima dhe zhvendosën më shumë se 2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, duke nxitur urinë dhe duke shkaktuar një valë mizorish.

Etiopia po luftonte me sfida të rëndësishme ekonomike, etnike dhe politike shumë kohë përpara se një  përplasje mes Abiy-t dhe ish-partisë në pushtet të rajonit, Fronti Çlirimtar i Popullit Tigray (TPLF) të shkaktonte trazira. Por tani, me përshkallëzimin e armiqësive në zona të tjera të Etiopisë, frika po rritet se luftimet në Tigray mund të ndezin një krizë më të gjerë duke përçarë  vendin e dytë më të populluar të Afrikës.

Si nisi konflikti?

Konflikti Tigray i ka rrënjët në tensionet që datojnë prej disa brezash në Etiopi. Vendi përbëhet nga 10 rajone dhe dy qytete që janë autonome, duke përfshirë policinë rajonale dhe milicinë. Për shkak të një konflikti të mëparshëm me Eritrenë fqinje, ka gjithashtu një numër të madh trupash federale në Tigray. Qeveritë rajonale janë kryesisht të ndara përgjatë vijave të rrënjosura etnike.

Përpara se Abiy Ahmed të vinte në pushtet, TPLF kishte qeverisur Etiopinë me një kontroll të hekurt për dekada, gjatë një periudhë stabiliteti dhe rritjeje ekonomike me koston e të drejtave themelore civile dhe politike. Sundimi autoritar i partisë provokoi një kryengritje popullore që në fund e detyroi paraardhësin e Abiy, Hailemariam Desalegn, të jepte dorëheqjen.

Në vitin 2018, Abiy u emërua nga partia në pushtet për të shuar tensionet dhe për të sjellë ndryshime, pa ndryshuar rendin e vjetër politik. Por pothuajse sapo u bë kryeministër, Abiy njoftoi riorganizimin e koalicionit qeverisës që kishte themeluar TPLF – Fronti Revolucionar Popullor Etiopian, ose EPRDF, i cili përbëhej nga katër parti. Në përpjekjen e tij për një parti të re politike pan-etiopiane, Abiy ngjalli frikë në disa rajone se sistemi federal i vendit, i cili garanton autonomi të konsiderueshme për shtetet e përcaktuara etnikisht si Tigray ishte nën kërcënim.

Udhëheqësit në Tigray u tërhoqën në zonat malore në veri, ku vazhduan të kontrollonin qeverinë e tyre rajonale. Tensionet arritën kulmin në shtator 2020, kur populli i Tigrait sfidoi Abiy duke zhvilluar zgjedhjet parlamentare rajonale që ai i kishte vonuar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Abiy e quajti votimin të paligjshëm dhe ligjvënësit shkurtuan fondet për udhëheqjen e TPLF, duke shkaktuar një seri përshkallëzimesh midis qeverisë rajonale dhe asaj federale, raporton abcnews.al

Më 4 nëntor 2020, pasi akuzoi TPLF-në për sulmimin e një baze të ushtrisë federale jashtë kryeqytetit rajonal të Tigray, Abiy urdhëroi një sulm ushtarak kundër grupit, duke dërguar trupa kombëtare dhe luftëtarë nga rAmhara, së bashku me ushtarët nga Eritrea. Abiy e shpalli ofensivën një sukses vetëm pas tre javësh kur forcat qeveritare morën Mekelle dhe vendosën një administratë të përkohshme besnike ndaj Addis Abeba. Por një vit më vonë, situate duket se është shumë larg fundit.

Mizoritë që janë kryer

Për muaj të tërë në fillim të konfliktit, Abiy mohoi se civilët ishin lënduar ose që ushtarë nga Eritrea i ishin bashkuar luftës. Por raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë, grupet e të drejtave të njeriut dhe CNN vërtetuan se të dyja këto pretendime ishin të gabuara.

Mijëra njerëz kanë vdekur në luftime, sipas shumë vlerësimeve, me raportime për kampe refugjatësh të shkatërruar, plaçkitje, dhunë seksuale, masakra dhe vrasje pa gjyq. Shumë të tjerë kanë ikur në Sudan, në atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur eksodi më i keq i refugjatëve nga Etiopia,  në dy dekada.

Ata e kanë cilësuar një konflikt katastrofik që ka shkaktuar dhunë etnike.

Qeveria e Etiopisë ka kufizuar  aksesin ndaj gazetarëve dhe një ndërprerje e komunikimit të detyruar nga shteti fshehu ngjarjet në rajon, duke e bërë të vështirë vlerësimin e shtrirjes së krizës ose verifikimin e të mbijetuarve. Por dëshmitë e mizorive filluan të dalin në pah në fillim të këtij viti.

Hetimet e veçanta nga CNN dhe Amnesty International në shkurt zbuluan prova të masakrave të kryera nga forcat eritreane në qytetet Tigrayan të Dengelat dhe Axum në fund të vitit të kaluar. Një tjetër hetim i CNN i publikuar në qershor zbuloi detaje të reja të një masakre të kryer nga ushtarët etiopianë në qytetin Tigrayan të Mahibere Dego në janar . Raporti identifikoi një nga autorët e masakrës, ku gjetën mbetjet njerëzore në vendin e sulmit, raporton abcnews.al

Në një raport ekskluziv nga Tigray në prill, CNN kapi trupat eritrean, disa të maskuar me uniforma të vjetra ushtarake etiopiane që kontrollin pikat e kontrollit dhe bllokonin ndihmën jetike humanitare për popullatat e uritura më shumë se një muaj pasi Abiy u zotua komunitetit ndërkombëtar se ata do të largoheshin.

Të gjithë aktorët në konflikt janë akuzuar për kryerjen e mizorive, por forcat Eritreane kanë kryer masakrat më të mëdha. Përveç kryerjes së vrasjeve masive dhe përdhunimeve, ushtarët eritreanë janë gjetur gjithashtu duke bllokuar dhe plaçkitur ndihmat ushqimore në zona të shumta të Tigray. Qeveria e Eritresë ka mohuar çdo përfshirje në mizori. Qeveria e Etiopisë ka premtuar hetime për çdo keqbërje.

Në shtator, OKB-ja tha se një “bllokadë de facto e ndihmave humanitare” po kufizon aftësinë e saj për të ndihmuar në më shumë se 5 milion njerëz në Tigray ose 90% e popullsisë,  që kanë nevojë për ndihmë humanitare, duke përfshirë 400,000 njerëz që po përballen me urinë.

Gjatë atij muaji, shefi i ndihmës i OKB – së, Martin Griffiths deklaroi se një pjesë e rajonit të shkatërruar nga lufta  ishte në mëshirën e fatit dhe i kërkoi qeverisë etiopiane të lehtësonte aksesin për të ndihmuar me ushqime popullin.

Qeveria etiopiane ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se po bllokon ndihmën. Vetëm disa ditë pas komenteve të Griffiths, Etiopia urdhëroi dëbimin e shtatë zyrtarëve të lartë të OKB-së, duke përfshirë edhe organizatat që koordinonin  ndihmën.

 

Si e fitoi Abiy Çmimin Nobel për Paqen?

Më pak se një vit përpara se Abiy të niste një sulm ndaj popullit të tij, ai e përshkroi luftën si “mishërim i ferrit” gjatë fjalimit të tij për pranimin e  Çmimin Nobel për Paqe. Ai u nderua për rolin e tij në përfundimin e një konflikti të gjatë me Eritrenë fqinje dhe për nxitjen e reformave të rëndësishme në Etiopi.

Eritrea dikur ishte pjesë e Etiopisë, por fitoi pavarësinë në 1993 pas një lufte të armatosur 30-vjeçare. Nga viti 1998 deri në vitin 2000, Etiopia dhe Eritrea luftuan një luftë që vrau mijëra nga të dyja palët, e cila çoi në një ngërç të gjatë e të rrezikshëm dhe një ngrirje totale të bashkëpunimit.

Pasi erdhi në pushtet, Abiy mori masat e menjëhershme për të normalizuar marrëdhëniet me Eritrean, pjesërisht duke pranuar vendimin e një komisioni ndërkombëtar për kufijtë midis dy shteteve. Abiy ndërmori gjithashtu lëvizje të rëndësishme drejt reformave të brendshme, duke rritur shpresat se ai do të sillte ndryshime të qëndrueshme. Përveç krijimit të një armëpushimi me Eritrean, ai hoqi një ligj të ashpër sigurie, liroi mijëra të burgosur politikë, ndihmoi në zhvillimin e industrisë së telekomunikacionit dhe të investimeve private.

Por reputacioni i tij si një udhëheqës që mund të bashkonte Etiopinë është përkeqësuar dhe marrëveshja e tij shumë e lavdëruar e paqes me Eritrean duket se ka hapur rrugën që të dy vendet të luftojnë me armikun e tyre të përbashkët në luftë -TPLF.

Që nga fillimi i konfliktit, dhuna e nxitur etnike ka shpërthyer në zona të ndryshme të vendit, duke përfshirë rajonin e lindjes së Abiy, Oromia, rajoni më i populluar i vendit. Në maj, Ushtria Çlirimtare e Oromos (OLA), një grup i armatosur, u zotua të zhvillojë “luftë totale” kundër qeverisë së Abiy, raporton abcnews.al

Pavarësisht premtimeve për të shëruar ndarjet etnike dhe për të hapur rrugën për një tranzicion paqësor e demokratik, Abiy ka përdorur gjithnjë e më shumë lojërat e regjimeve represive: mbylljen e shërbimeve të internetit dhe telefonit, arrestimin e gazetarëve dhe shtypjen e kritikëve. Abiy është kritikuar gjithashtu për nxitjen e retorikës mes konfliktit në Tigray, forcat e të cilit ai i ka përshkruar si “barëra të këqij” dhe “kancer”.

Këtë korrik, në mes të luftës, Abiy dhe partia e tij fituan në zgjedhjet e përgjithshme që u bojkotuan nga partitë opozitare, të prekura nga çështje logjistike  dhe që përjashtuan shumë votues, duke përfshirë të gjithë ata në Tigray — një zhgënjim dërrmues për shumë njerëz,  të cilët kishin shpresa të mëdha se tranzicioni demokratik i premtuar tre vite më parë  nga Abiy do të realizohej.

Si është situata në vend?

Qeveria e Etiopisë shpalli një armëpushim të njëanshëm në qershor, kur forcat Tigrayan rimorën kryeqytetin rajonal Mekelle. Por TPLF përjashtoi kategorikisht një armëpushim dhe luftimet janë përhapur përtej kufijve të Tigray në rajonet fqinje Amhara dhe Afar. Luftëtarët besnikë të TPLF, të njohur si Forcat e Mbrojtjes Tigray (TDF), janë bërë aleatë me Ushtrinë Çlirimtare të Oromos (OLA), një grup rebel që lufton për të drejtat e njerëzve nga Oromia, Etiopia rajoni më i populluar.

Përparimi i shpejtë i luftëtarëve, të cilët thanë se kishin pushtuar Dessie dhe Kombolcha, dy qytete kyçe të rrugës për në Addis Abeba, ka ngritur shqetësime midis udhëheqësve të Etiopisë se kryeqyteti mund të rrëzohet.

Megjithatë, është e paqartë nëse rebelët kanë fuqinë e për të marrë qytetin. Një zëdhënës i OLA tha për CNN të enjten se luftëtarët e përbashkët rebelë ishin ende larg nga pushtimi i kryeqytetit. Ata janë rreth 160 km nga Addis Ababa, tha Odaa Tarbii. Çështja e hyrjes në kryeqytet bazohet thjesht në atë që ndodh nëse bëhet fjalë për negociata, me qeverinë federale, shtoi Odaa, duke thënë se grupi shpreson të shmangë një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak në qytetin shumë të populluar, raporton abcnews.al

Muajin e kaluar, ushtria etiopiane intensifikoi sulmet ajrore në Mekelle dhe qytete të tjera në Tigray, në një përpjekje për t’i shënjestruar  burimin e bazave të tyre të supozuara.

Abiy u ka kërkuar qytetarëve që të marrin armët dhe të luftojnë forcat Tigrayan. “Njerëzit tanë duhet të marshojnë me çdo armë dhe burim që kanë për të mbrojtur, zmbrapsur dhe varrosur TPLF-në terroriste,” tha Abiy në një postim në Facebook të dielën. Postimi  u fshi më vonë nga Facebook.

Administrata e qytetit të Addis Abeba-s po udhëzonte banorët të regjistronin armët e tyre dhe të mblidheshin në lagjet lokale për të “mbrojtur” rrethinat e tyre, raportoi Reuters.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, i cili ka dënuar spastrimin etnik në Tigray, tha se Uashingtoni ishte i alarmuar nga raportet për marrjen e disa qyteteve nga TPLF. “Të gjitha palët duhet të ndalojnë operacionet ushtarake dhe të fillojnë negociatat për armëpushim pa parakushte”, tha ai në një postim në Tëitter.

Cili është reagimi i ndërkombëtarëve?

Ndërsa lufta dhe ndikimi i saj tek civilët vazhdon të thellohet, liderët botërorë kanë shprehur shqetësimin e tyre për kufizimin e ndihmës nga qeveria etiopiane për Tigray dhe rolin e forcave eritreane në përkeqësimin e krizës. Zyrtarë të lartë të administratës Biden kanë paralajmëruar se Etiopia do të humbasë aksesin në një program tregtar fitimprurës të SHBA-së për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, nëse nuk ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt përfundimit të konfliktit dhe zbutjes së krizës humanitare deri në fillim të vitit 2022.

Qeveria etiopiane duhet të ndërmarrë masa emergjente deri më 1 janar. Administrata amerikane po përgatit gjithashtu të vendosë sanksione kundër palëve në konflikt, sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Biden në shtator, sipas zyrtarëve. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Bririn e Afrikës, Jeffrey Feltman, ka thënë se “ndërsa lufta po i afrohet përvjetorit të saj njëvjeçar, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët nuk mund të kenë të njëjtat  marrëdhënie me qeverinë e Etiopisë.

Departamenti i Shtetit kishte njoftuar kufizime të vizave për zyrtarët e qeverisë Etiopiane dhe Eritreane, gjithashtu edhe  administrata Biden ka vendosur kufizime të shumta për ndihmën ekonomike për vendin.

Por nuk është e qartë nëse përpjekjet e SHBA-së dhe vendeve të tjera kanë ndikuar.

/abcnews.al