Nuk ka dëshirë ta quajë një revansh, mirëpo Ardian Ismajli duket qartë se ka një brum prej futbollisti profesionist dhe patrioti të vërtetë, pasi la pas çdo sfidë dhe u kthye më i fortë.
Padyshim, e ka lënë pas faktin që u la në stol dhe nuk luajti asnjë minutë në Evropian dhe këtë e tregoi me Kombëtaren ndaj Ukrainës, me performancën e tij që thjesht konfirmoi rikthimin e tij, edhe pse ishte titullar në Nations League.
Sidoqoftë, kur një mbrojtës shënon, e kur për më tepër shpallet lojtari më i mirë i ndeshjes, kjo padyshim që ka një kuptim të madh.
Jo vetëm te Kombëtarja, por Ismajli duket se po arrin kulme edhe tek Empoli, teksa vetëm pasditen e së shtunës ishte padyshim protagonist i skuadrës së tij, në barazimin e madh përballë Juventus, ku përballë kishte një prej sulmuesve më të mirë të Evropës, Dusan Vlahovic.
Në skuadrën toskane jo vetëm që është titullar i padiskutueshëm, dhe po flasim për nivelin e Serie A, por madje trajneri hera-herës i ka besuar edhe shiritin e kapitenit, një vlerësim i lartë dhe plotësisht i merituar, teksa është lënë pas sezoni i kaluar, kur mbrojtësi 27-vjeçar pati dëmtime, dhe shpesh humbi ndeshje në Itali. /i.m /abcnews.al