Kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetsor në Tiranë, Areti Beruka është shprehur se të gjithë institucionet përkatëse kanë marrë masat e duhura në lidhje me identifikimin e dhe parandalimin e rasteve të dyshuara me koronavirus. Nga studio e ABC News ajo është shprehur se po bëhet një panik galopant pa qenë e nevojshme, pasi sipas saj deri më tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar ne vendin tonë.
Ndër të tjera ajo ka theksuar se laboratorët e ISHP janë në gjendje të identifikimit të provave në lidhje me rastet e koronavirusit.
“Po ndodh një panik galopant kot, pasi deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Mjekësia flet vetëm mbi bazë të fakteve nga gjashtë rastet që janë dyshuar dhe janë analizuar në Institutin e Shëndetit Publik kanë dalë negativisht, ndërsa një rast është akoma në proces dhe ne nuk mund të themi është apo nuk është. Laboratoret e ISHP janë në gjendje që të nxjerrin rezultatet për koronavirusin.
Nuk është rasti i parë në botë me këtë epidemi, është një grip që është emëruar me emrin koronavirus, ne kemi pas dhe herë të tjera përhapje epidemish, por nuk kemi pas këtë lloj panikosje, por mendoj se për këtë ka pasur ndikim dhe media. Nuk është mënyra për të bërë politike. Protokollet e përdorura janë në bazë të OBSH-së. Në bazë të statistikave në të gjithë botën vdekshmëria është në 2 % dhe më e ulët ndoshta se viruset e tjera. Është një virus që përhapet shpejt dhe ka rëndësi të merren masat e nevojshme dhe duhen marrë masat nga ana njerëzve siç mund të jetë larja e duarve që ndikon dhe në uljen e numrit të viruseve të tjera”, tha Beruka.
Gjithashtu nga studio e ABC News përballë gazetarit, Endri Xhafo ajo është shprehur se në dispozicion të pacientëve që janë të dyshuar për koronavirus është vënë numri i urgjencës, 127 i cili do e marrë dhe do e transportojë pacientin tek Spitali Infektiv.
Beruka ka theksuar se për të rriturit do të jetë në dispozicion Spitali Infektiv i cili është pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, ndërsa për fëmijët që fatmirësisht në bazë të statistikave janë një kategori jo shumë e prekur do të jetë gati Pediatria.
“Në momentin që identifikohet i sëmuri, pas laboratorit telefonohet 127 numri i urgjencës, i cili bën transportin dhe gjithashtu bën trajnimin nga ana e mjekëve specialistë, të cilët më pas dërgohen pranë Spitalit Infektiv që është caktuar për të rriturit, ndërsa ai pediatrik për fëmijët të cilët për fat të mirë në rang global nuk janë prekur. Spitali infektiv është i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Të gjithë dhomat janë të pajisura me të gjithë terapinë e nevojshme për ndjekjen e fluksit që mendohet se vijnë”, tha Kryeinspektorja e ISHSH.
Ndërkohë ajo ka theksuar se në protokollin e hartuar është parashikuar se në rast se identifikohet një rast i dyshuar me koronavirus nga qendrat kufitare, ato disponojnë dhe listat për të identifikuar personin që ka qenë në kontakt sa më të afër për ti bërë analizat e duhura. /abcnews.al