Max Allegri do të rikthehet në stol sezonin e ardhshëm. Trajneri italian qëndroi një vit pushim pas pesë sezoneve intensive të kaluara te Juventus. Karriera pritet të vazhdojë jashtë Serie A, teksa PSG dhe Manchester United e pëlqejnë prej kohësh.
Gjithsesi, Allegri do e rinisë nga Serie B, aty ku Livorno e tij e dashur, që vazhdon të jetë në shitje, shpreson të evitojë rrëzimin një kategori më poshtë. 52-vjeçari ka biseduar me Aldo Spinellin, presidentin e klubit të qytetit nga vjen, dhe është gati të ndihmojë Livornon e tij.
“Allegri është trajneri më i mirë në Evropë dhe biseda me të më ka ngrohur zemrën. Më telefonoi dhe u takuam në Montecarlo. E pashë shumë të karikuar, më tha që donte të shprehte mendimin e tij për lëvizjet që do të bëhen për ringritjen e Livornos.
Duam të ndërtojmë një skuadër kompetitive për sezonin e ardhshëm, por tani jemi fokusuar te arritja e dueleve ‘play-out’. Lojtarët e mirë i kemi bllokuar, askush nuk do të largohet. Allegri është i dashuruar me qytetin e tij“, përfundon Spinelli për Corriere dello Sport. /abcnews.al