Mësohet se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka marrë një kërkesë nga homologu i tij në UEFA, Aleksander Ceferin për të rregulluar sërish rregullin e prekjes me dorë, për të siguruar më shumë fleksibilitet për gjyqtarët dhe për të parandaluar ndëshkimet e padrejta.
Në një letër për Infantino, të zbuluar nga “Associated Press”, Ceferin kërkon që kjo çështje të diskutohet në takimin e nëntorit të krerëve të arbitrimit botëror dhe të konsiderohet lejimi i arbitrave për të arsyetuar sërish nëse një lojtar e prek topin me dashje apo jo.
Ndërhyrja e Ceferin erdhi pas një morie penalltish të akorduara në Champions, Europa League dhe ligat e tjera të mëdha në kontinent edhe në rastet kur topi u prek pa dashje.
“Përpjekja për të përcaktuar në mënyrë rigoroze rastet kur çdo prekje e topit është shkelje ka rezultuar e padrejtë në shumë vendime, të cilat janë pritur me zhgënjim dhe shqetësim në rritje nga komuniteti i futbollit,” shkroi fillimisht Ceferin.
UEFA nuk ka asnjë të drejtë në vendosjen e rregullave, pavarësisht drejtimit të kompeticionit më të madh në botë të klubeve, Champions League dhe ligave më të njohura në kontinent. Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit kontrollohet nga FIFA.
“Unë besoj se kthimi te formulimi i mëparshëm i rregullores, ndoshta i rishikuar dhe integruar nga një dispozitë, e cila nuk lejon që golat të shënohen me një dorë apo krah, është një opsion që duhet të merret parasysh”, shton më pas Ceferin. /abcnews.al