SHBA izolim total Kurtit, Escobar: Zero kontakte të kësaj qeverie me Washingtonin

schedule12:24 - 15 Mars, 2024

schedule 12:24 - 15 Mars, 2024

Gabriel Escobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar këtë të premte se nuk ka arritur që të bind Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin që të pezullojë vendimin për Dinarin në takimet që pati me të këtë të enjte në Prishtinë. Escobar insistoi se Serbët e veriut mbeten të braktisur nga vendimi I Bankës Qëndrore në Kosovë  ndërsa kur u pyet mbi refuzimin që Qeveria e Albin Kurtit po i bën kërkesave të SHBA , ai u shpreh se Washingtoni është i zhgënjyer me qeverisjen e lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.

“Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe  mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie. Lëvizja Vetëvendosje ka shumë më pak miq në Europë, shumë më pak sesa i duhen.”

Për të treguar më shumë mbi mënyrën sesi Albin Kurti dhe Qeveria e tij kanë përkeqësuar mardhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, Escobar u ndal edhe në një tjetër detaj.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia jonë me qeverinë e Albin Kurtit.”

Pavarësisht veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Albin Kurtit përgjatë intervistës së tij për Radion Evropa e Lirë Escobar theksoi se Washingtoni nuk ka mbetur pa partnerë në Kosovë,  duke ritheksuar edhe një here tjetër se tani më Shtete e Bashkuara vlerësojnë Vjosa Osmanin si garantuese të marrdhënieve dy palëshe SHBA Kosovë.

“Mendoj se ka institucione në Kosovë që janë shumë të qarta për marrëdhëniet me Evropën dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Po flas konkretisht për presidenten e Kosovës, zonjën Vjosa Osmani.”

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ndërsa kritikoi qeverinë e Albin Kurtit se nuk po bën asnjë hap për dërgimin e Draft- Statutit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!