Raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu tha gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan REL.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Sipas zyrtarit amerikan, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, ai tha se “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.
Zyrtari i lartë amerikan tha se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.
“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat veçse delikate dhe kishte këmbëngulje duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesa. Jam në Qeverinë amerikane që kur kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë Qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane. Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta për koordinim, edhe pse ne qëndrojmë pas tyre ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata ne si partner dhe kjo duhet të ketë pasoja”, theksoi Escobar.
Escobar tha se SHBA-ja është e përkushtuar për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.
“Do të jem shumë i sinqert, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se disi ne po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitim të Serbisë”, tha Escobar.
“Dua t’ua rikujtojnë njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara, ata për vite të tëra ishin kundër fushatës sonë për njohje dhe ne vazhduam përpara, ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato s’i legjitime”, shtoi ai.