Escobar: Ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për KiE-në

schedule16:29 - 8 Maj, 2024

schedule 16:29 - 8 Maj, 2024

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Gjatë një bisede me gazetarë, Escobar tha se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme.

“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.

Ai tha se SHBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara “dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më herët gjatë 8 majit se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE.

I pyetur nëse çështja e Asociacionit dhe Këshillit të Evropës janë çështje të lidhura, Escobar tha se “janë shumë të lidhura”.

“Mendoj se janë shumë të lidhura. Së pari, Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka bërë zotim të qartë për trajtimin e minoriteteve dhe kjo përfshin edhe Asociacionin. Ky është një zotim i kamotshëm që është i shkruar edhe në Planin e Ahtisaarit, është i shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit”, tha Escobar.

“Ne e kemi të vështirë ta kuptojmë pse Kosova nuk e përmbushë obligimin e saj ligjor dhe nuk ka sinjalizuar se është e përkushtuar që ta bëjë këtë. Shqetësimi ynë është se pas pranimit [të Kosovës në KiE] vetëm do të kishte më shumë vonesa [për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin] dhe këtë gjë e besojnë disa”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe më pas më 2015 për themelimin e Asociacionit.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk kishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që themelojë Asociacionin. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare i paraqiti Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin.

Palët fillimisht e pranuan draft-statutin, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij.

Gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, Escobar, që në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij, tha se i vjen keq që gjatë mandatit të tij nuk është zbatuar marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, vitin e kaluar.

Ai fajësoi të dyja shtetet për dështim të përmbushjes së zotimeve të tyre që dalin nga kjo marrëveshje dhe aneksi për zbatimin e saj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!