Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni mbeten në qeli, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë

schedule09:57 - 4 Janar, 2024

schedule 09:57 - 4 Janar, 2024

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimin ndaj vendimit të GJKKO duke lënë në fuqi vendimin për “arrest në Burg” për ish-nëndrejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefin e krimeve të rënda në komisariatin nr. 6 Dedan Gjonin dhe dy personave të tjerë, Besmir Murati dhe Bujar Ajeti.

Nëntorin e kaluar, SPAK lëshoi 11 urdhër arreste, mes të cilëve iDedan Gjoni, Erzen Breçani, Bujar Ajeti dhe Besmir Murati. Ata akuzohen për “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal”, “trafik droge”, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, “shpërdorim detyre” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Njoftimi i plotë: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 04.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 61 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim Besmir Murati, Bujar Ajeti, Dedan Gjoni. dhe Erzen Brecani me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 128, datë 23.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e vendimit nr. 124, datë 17.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate;
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij./abcnews.al