Ermal Meta rrëfen tre momentet kur ndjeu “flutura” në stomak: Më ndryshuan jetën

schedule09:10 - 27 Tetor, 2022

schedule 09:10 - 27 Tetor, 2022

Në një intervistë që dha për gazetarin Enkel Demi në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Ermal Meta foli për librin “Nesër e përgjithmonë”, një roman që shkroi gjatë kohës së pandemisë. Këngëtari shqiptar, që jeton dhe vepron në Itali, foli gjithashtu dhe për tre herët kur ka ndjerë flutura në stomak.

E para ndodhi kur shkroi këngën “Storia di una favola”, krijim që do t’i hapte shumë rrugë grupit “La Fame Di Camilla”, pjesë e të cilit ishte. E dyta, ishte kur shkroi këngën “Vietato Morire” dhe e treta kur shkroi romanin “Nesër e përgjithmonë”. Sipas tij, të treja këto momente kanë të bëjnë me rrënjët e tij.

“Është thjesht një vëmendje, kujdes që kam pasur karshi muzikës kur luan piano. Duart janë gjëja e fundit që luan, muzikën e ke në mendje. Kur ndjejmë një emocion e ndjejmë në stomak se është truri ynë i dytë. Nuk ka mendime, ka ndjenjën, mund të ndjejë vetëm një ndjenjë për herë. Nuk mund të ketë dy.

Stomaku nuk gënjen sepse nuk ka mendime, dhe muzika aty lind. Sa herë që shkruaj një këngë e ndjej në stomak. Sa herë kam ndjerë stomakun që më shtrëngohej, e kam ditur se po bëja një hap që mund të dukej i vogël, por do të më sillte diçka më të madhe. E para ndodhi kur shkrova “Storia di una favola”.

Kur e shkruaja e dija që ajo këngë do të më ndryshonte fatin tim. Brenda një viti e dy muaj grupi jonë ishte i panjohur dhe ajo këngë arriti në duart e një diskografi të rëndësishëm italian. Për hir të asaj kënge, ne firmosëm një kontratë nga më të rëndësishmet në atë periudhë dhe shkuam në Sanremo.

Kjo ishte në 2010 dhe grupi ishte formuar në 2008. Hera e dytë ishte në janar 2016, isha në studio. Ishte ora dy e natës, dhe po merresha me përpunimin e një kënge. Isha i lodhur dhe mu duk sikur dëgjoja një tingull që s’e kisha vënë fare. Më pas kuptova se ishte një bashkim tingujsh.

Ai tingull sikur më zhbllokoi një kujtim që e kisha fshehur në mendje që kur isha 8 vjeç. Kështu shkrova “Vietato Morire”. Këngën e shkrova pa luajtur në kitarë, dhe në vesh e dëgjoja këngën pa e shkruar. Mora një fletore, dhe shkrova tekstin menjëherë, pastaj e regjistrova.

Në atë moment, e ndjeva se kishte diçka më shumë. Ajo e ndryshoi sërish fatin tim. E treta kur shkrova librin, ndjeva të njëjtën gjë. Të treja kanë të bëjnë me rrënjët e mia.”, tha këngëtari. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!