Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha ka treguar disa nga pikat kryesore të programit të tij.
Në një intervistë për ABC News, Dredha u shpreh se fokusi kryesor do të jetë te investimet në turizëm, ku një nga shtyllat bazë është hoteleria.
Sipas Dredhës, ka një numër të shtuar të qytetarëve dhe turistëve të huaj që vizitojnë qytetin bregdetar.
“Prioritet, në fakt për Bashkinë e Vlorës, janë edhe projektet që janë nisur nga qeveria shqiptare. Do të jetë loti 3, vazhdimi i Lungomares, do të mbërrijë deri në Orikum. Ky mendoj, është një projekt që duhet parë me seriozitet dhe do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Sa i përket ndërtimeve, kjo është një fazë tjetër, është për t’u parë me një vendim kolegjial, bashkë me këshillin bashkiak që do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme. Por patjetër, ndërtimet, aty ku lejohen, do të ketë, por jo në mënyrë abuzive.
Sa i përket projekteve të mëdha, ne jemi më shumë të orientuar të shikojmë, të promovojmë, apo të mbështesim fort investime që i përkasin turizimin. Hoteleria do të jetë një nga shtyllat bazë të programit tonë dhe këtë e them gjithmonë duke iu referuar edhe kërkesës qytetare që ka për dhoma hotelesh. Kemi një fluks të madh turistësh, sidomos në periudhëne verës. Duhet t’u përshtatemi dhe t’u ofrojmë kushtet që kërkohen për një turist. Duhet të ketë më shumë dhoma hotelesh”, theksoi ai./abcnews.al