Erisa Xhixho i bashkohet protestës kundër abuzimit të vajzave: Kemi detyrim të edukojmë fëmijët

schedule14:26 - 23 Maj, 2021

schedule 14:26 - 23 Maj, 2021

Në protestën e ditës së sotme kundër abuzimit të së miturës në Mirditë ka pasur edhe mjaft figura publike. Mes tyre ka qenë edhe deputetja e zgjedhur e LSI Erisa Xhixho. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Xhixho shkruan s e kjo protestë është një thirrje e fortë për të dënuar krimin monstruoz. Ajo shprehet se prindërit kanë detyrim të edukojnë fëmijët duke u qëndruar pranë në mënyrë që ata t’u hapen pa frikë për çdo problem.

“Iu bashkova sot marshimit-protestë “ Mos ma vrit fëmijërinë”, si thirrje e fortë për të dënuar krimin monstruoz, abuzimin seksual të të mitures 15 vjeçare. Solidaritet, ndihmë dhe mbështetje me çdo kusht për vajzēn e familjen e saj dhe dënim shembullor për 5 dhunuesit, burrat që s’janë burra, prindërit që përdhunuan një fëmijë, të njohurit që prenë në mes pafajësinë e të miturës.

Si prindër kemi detyrimin t’i edukojmë fëmijët tanë. Nëna, qëndrojuni pranë vajzave, që t’u hapen pa frikë. Mësojuni djemve të duan e të respektojnë vajzat, si të barabarta me ta, në të drejta e detyrime. Sepse, të dashur djem, e këtë ia përsëris edhe tim biri, forca nuk janë muskujt, por idetë, argumentet, respekti për tjetrin.

Kjo ngjarje, mjerisht e përsëritur është kambanë alarmi për të gjithë, prindër, mësues, pushtetarë, se indiferenca dhe harresa prodhon pasiguri e pastaj drama të pariparueshme.

Ndaj sot mos hesht, ngri zërin, bëhu solidar, kërko drejtësi. Është përgjegjësia jonë që këto çështje t’i adresojmë e dënojmë me forcë, pasi fëmijëria e paqtë, pa dhunë, e sigurt dhe e mbrojtur janë detyrimi i parë për fëmijët tanë e duhet të garantohen me çdo çmim”, shkruan Xhixho./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!