Eric Zemmour, po çel një kapitull të ri në historinë e gjatë të racizmit në Francë

schedule14:43 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 14:43 - 3 Dhjetor, 2021

Nga Mitchell Abidor &Miguel Lago “The New York Times

Franca është shtëpia e “Liberté, Égalité et Fraternité”, dhe vendlindja e të Drejtave të Njeriut. Por duke analizuar më me imtësi traditat politike të këtij vendi, shohim se ka një prani shqetësuese të racizmit dhe antisemitizmit. Dhe tani duket sikur në këtë histori të fanatizmit francez mund të çelet një kapitull i ri, akoma më virulent, dhe nga një personazh i çuditshëm.

Eric Zemmour, një polemist i ekstremit të djathtë që shpalli zyrtarisht të martën kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të prillit të vitit ardhshëm, është sot zëri më i fuqishëm dhe më ekstrem i racizmit francez.

Ndërsa mbështetja ndaj tij në sondazhe ka filluar që të bjerë në krahasim me nivelet më të larta në fillim të kësaj vjeshte, fushata e tij tejet përçarëse ka rezonuar me një pjesë të konsiderueshme të votuesve francezë, dhe ai mbetet ende një ndër kandidatët kryesorë të garës presidenciale.

Ai po pushton titujt e mediave kombëtare, dhe po indukton në politikën qendrore një fanatizëm të egër që nuk ishte parë prej vitesh. Ironia e madhe është se Zemmour, dy herë i dënuar nga gjykatat për nxitje të urrejtjes dhe diskriminimit racor është një hebre, pra anëtar i një komuniteti që ka qenë dikur në shënjestër të racistëve, dhe traditat e të cilëve ai trashëgon dhe evokon.

Ai e ka përditësuar urrejtjet më të vjetra të Francës për një epokë të re. Rrënjët e së djathtës ekstreme sot në Francë, mund të kuptohen vetëm në kontekstin e parahistorisë së saj.

Antisemitizmi fetar, ishte prej kohësh një element kryesor i mendimit reaksionar në Francë. Dhe gjatë shekullit XIX-të, ai u shndërrua në një antisemitizëm ekonomik dhe politik, duke marrë formën e tij përfundimtare rreth kohës së “Çështjes Dreyfus”, skandali që përfshiu oficerin ushtarak hebre Alfred Dreyfus, i cili u akuzua dhe u dënua në mënyrë të rreme për shitjen tek Gjermania të sekreteve ushtarake.

Beteja midis mbështetësve të Dreyfus dhe akuzuesve të tij, e diktoi politikën franceze të asaj kohe. Ajo periudhë e tensionuar u shoqërua me shfaqjen e gazetave antisemite si “La Libre Parole”, që në krye kishte sloganin nacionalisti“Franca për francezët!”, që mbetet ende i preferuar në të djathtën aktuale franceze.

Ajo lëvizje vazhdoi deri në shekullin XX-të. Kapitulli i fundit i saj ishte qeveria e Vishisë që bashkëpunoi me nazistët, dhe pjesëmarrja e francezëve në grumbullimin e hebrenjve për dëbimin dhe vrasjen e tyre. Pas Holokaustit antisemitizmi nuk përdorej më si një lëvizje politike, edhe pse ai nuk u zhduk asnjëherë plotësisht nga shoqëria.

Me nisjen e emigracionit masiv nga ish-kolonitë e Francës, antisemitizmi u zëvendësua kryesisht nga racizmi kundër zezakëve dhe veçanërisht kundër arabëve. Që nga vitet 1970, zëri politik i këtij racizmi ka qenë partia e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë, e riemërtuar tanimë si Asambleja Kombëtare, si pjesë e një përpjekje për t’u bërë nja nga partitë kryesore në vend.

Kjo parti ka arritur dy herë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në vitin 2002 dhe 2017. Zemmour po e tejkalon atë po nga kampi i së djathtës ekstreme. Nuk duhet shumë mund për të parë rrënjët e ideologjisë së zoti Zemmour.

Këmbëngulja e tij se Franca është aktualisht e përfshirë në një luftë fetare me Islamin, dhe në një luftë racore kundër popullsisë së saj zezake dhe arabe; se lagje të tëra të qyteteve të saj kryesore janë “kolonizuar” nga myslimanët; se Islami është një fe terroriste; se myslimanëve francezë duhet të zgjedhin përfundimisht midis Islamit dhe Francës.

E gjithë kjo qasje është një përditësim i urrejtjes ndaj hebrenjve120 e ca vite më parë. Në të njëjtën mënyrë që anti-semitët dikur akuzonin çifutët e plotfuqishëm si fajtorë për krime të të gjitha llojeve, madje edhe për përmbytjet e lumit Senë, për Zemmour nuk ka asnjë krim për të cilin nuk janë fajtorë myslimanët.

Shkaku pse njerëzit që punojnë janë të detyruar të shkojnë me makinë në punë nga shtëpitë e tyre të largëta? “Pushtimi” nga emigrantët i qyteteve dhe rrethinave të tyre. Përhapja e përdorimit të drogës? Të gjithë të miturit emigrantë që janë të pashoqëruar nga prindërit janë trafikantë droge.

Shkaku i mungesës së burimeve në spitale? Abuzimi i emigrantëve me një sistem, në të cilin ata nuk kontribuojnë. Zgjidhja e tij për këto probleme – dhe për çdo problem tjetër – është e thjeshtë. Ashtu si anti-semitët dikur, ai dëshiron që të zvogëlojë praninë e emigrantëve në jetën e vendit.

Kështu strehimi social duhet të jetë në dispozicion vetëm për francezët, me të cilin ai nënkupton francezët e bardhë. Se si do të përjashtojë myslimanët e natyralizuar apo të lindur në Francë, kjo është diçka që ai nuk e shpjegon. Për të nuk është ky thelbi. E vetmja pikë që ka rëndësi është racizmi.

Zemmour nuk është aspak i verbër ndaj trashëgimisë së errët historike. Ai nuk është thjesht një demagog; por një shkrimtar dhe një historian shumë popullor. Ai citon rregullisht nga historia figura politike, shkrimtarë dhe mendimtarë reaksionarë, sidomos nga koha e “Çështjes Dreyfus”.

Ndër rishikimet e shumta që ai i bën historisë së Francës, më i famshmi është pretendimi i bërë për herë të parë në vitin 2014, sipas të cilit Philippe Pétain, udhëheqësi i qeverisë kolaboracioniste franceze, mbrojti hebrenjtë francezë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ndihmuar vetëm në dëbimin e hebrenjve të huaj.

Duke shprehur qëndrime të tilla, Eric Zemmour një hebre algjerian, po tregon një version kaotik të asimilimit hebre. Kërcënimi që vinte nga antisemitizmi francez i krahut të djathtë, ka kohë që është zhdukur. Sulmet ndaj hebrenjve francezë në vitet e fundit, kanë qenë vepër e individëve, turmave apo terroristëve të izoluar.

Hebrenjtë në këtë vend kanë qenë vërtet në rrezik, kur pas kërcënimeve qëndronte qeveria. Sot nuk është kështu. Tek zoti Zemmour, hebreu dikur i huaj tani është i brendshëm, dhe hebreu i brendshëm e mbron Francën edhe kur ajo i ka dëmtuar hebrenjtë e saj.

Komuniteti hebre, ashtu si gjithë Franca, është thellësisht i ndarë mbi figurën e Zemmour. Hebrenj ka në të gjitha kampet e fushatës presidenciale, nga Zemmour dhe asistentja e tij më e afërt Sarah Knafo, deri tek armiku kryesor intelektual i Zemmour, Bernard-Henri Lévy. Duke pasur parasysh këtë ndarje, ndër shumë gjëra që përfaqëson fushata e Zemmour, është asimilimi i hebrenjve francezë. Ndërsa Zemmour e paraqet veten si zëri i Francës, si “shpëtimtari” i saj, hebraizmi që ai shpërfaq i shërben atij vetë dhe ekstremit të djathtë. Duke mbrojtur Vishinë, gjeneralin Petain, kolonializmin francez, madje edhe masakrimin e “arabëve dhe hebrenjve të caktuar”, ai si hebre shfajëson të djathtën franceze nga njollat ​​e saj më të këqija, dhe po e ndihmon atë t’i japë asaj jetë të re, teksa zhvillon një luftë kundër myslimanëve.

Hebreu si megafon i racizmit kundër emigrantëve, si zëri i normalizimit të këtij racizmi në diskursin publik, është një zhvillim i ri dhe i frikshëm. Rezultatet e kësaj fushate janë të paparashikueshme, por ato nuk priren të sjellin asgjë të mirë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Mitchell Abidor, autor i disa librave mbi historinë franceze. Miguel Lago, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Politikave Shëndetësore, dhe lektor në Universitetin  Sciences Po në Paris.