Moti i keq, nisen disa orë me vonesë tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Brindisi-Vlorë

schedule10:04 - 23 Nëntor, 2024

schedule 10:04 - 23 Nëntor, 2024

Moti i keq pa penguar nisjen në kohë të trageteve në portin e Durrësit dhe të Vlorës janë nisur disa orë me vonesë.

Gazetari Leonidha Musaj raporton se tragetet e linjës Durrës-Bari janë nisur rreth 10 orë vonesë nga brigjet tona, për shkak të erës së fortë dhe dallgëzimit në det të hapur.

Dy mjetet lundruese kanë arritur të dalin nga baseni i portit të Durrësit vetëm rreth orës 8 të mëngjesit të së shtunës, pavarësisht planifikimit për nisjen e tyre që ishte në orën 22:00 e mbrëmjes së kaluar.

Autoritet detare të portit të Durrësit bëjnë të ditur se e njëjta situatë është paraqitur dhe në krahun tjetër të Adriatikut, Bari, çka ka bërë që dy tragetet e planifikuara për lundrim mbrëmjen e kaluar të nisin lundrimin mëngjesin e sotëm, për të mbërritur në Durrës me disa orë vonesë (pas mesditës pritet akostimi).

Ndërkohë, gazetari Elton Nika raporton se edhe trageti i linjës Brindisi-Vlorë është nisur vetëm mëngjesin e së shtunës nga brigjet italiane për shkak të motit të keq.

Sipas itenerarit, duhej të nisej mbrëmjen e së premtes por era e fortë ka shtyrë me disa orë nisjen drejt Vlorës. Sipas kapitenerisë, lundrimi për anijet e peshkimit mbetet i pezulluar deri në mbrëmjen e së shtunës./abcnews.al