“Turqia është në dialog të ngushtë me liderin sirian Ahmed al-Shar”, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke shtuar se vizitat në Siri do të jenë më të shpeshta tani e tutje.
Duke folur pas një takimi të kabinetit në Ankara, Erdogan deklaroi se Turqia do t’i ofrojë popullit sirian të gjithë mbështetjen që i nevojitet për të konsoliduar arritjet e tyre, raportoi Reuters.
“Nuk ka vend në të ardhmen e Sirisë dhe rajonit tonë për asnjë organizatë terroriste, duke përfshirë Shtetin Islamik dhe PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit),” tha ai, duke shtuar se linja e palëkundur e Turqisë është të mbrojë integritetin territorial të Sirisë dhe unitetin nën të gjitha rrethanat.
Turqia ka premtuar mbështetje të plotë diplomatike dhe politike për Al-Shar dhe përpjekjet për të hequr sanksionet dhe për të hapur rrugën për adresimin e nevojave imediate të vendit.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua të dielën në Damask me Ahmed al-Shar, liderin e grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham, i cili udhëhoqi operacionin për rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Assad dy javë më parë./abcnews.al