Erdogan ka triumfuar në zgjedhjet presidenciale në Turqi dhe ka marrë një mandat të ri 5-vjeçar në drejtim të vendit. Koalicioni I tij partiak ka marrë gjithashtu mazhorancën në parlament.
Rexhep Tajip Erdogan, do të jetë president i Turqisë për të paktën 5 vitet e ardhshme dhe do të ketë fuqi ekzekutive të palimituara në bazë të ndryshimit të sistemit nga qeverisje parlamentare në atë presidenciale.
Me mbi 53% të votave, ai është konfirmuar në drejtim të shtetit. Ndërsa kandidati i opozitës, Muharrem Inçe, u ndal në kuotën 31% të preferencave. Në këtë mënyrë, Erdogan ka konfirmuar parashikimet e sondazheve, dhe ka arritur që të shmangë raundin e dytë të balotazhit pasi siguroi mbi 50% të votave.
Përtej kësaj, Erdogan ka marrë dhe shumë siguri dhe mbështetje sa i përket parlamentit. Aleanca Popullore, ku bën pjesë dhe partia e tij, ka arritur të fitojë 295 deputetë nga 570 vende që janë gjithsej në parlament, i cili nuk do të ketë aq shumë ndikim tashmë. Me këtë mazhorancë, presidenti turk do të jetë në gjendje të konfirmojë të gjitha reformat e tij.
Erdogan shpalli fitoren që mbrëmjen e së dielës në bazë të të dhënave të tij. Presidenti turk theksoi se siguria e vendvotimeve dhe liria e votimit gjatë zgjedhjeve është tregues i fuqisë së demokracisë së vendit.
“Turqia gjithë botës i dha leksion mbi demokracinë me pjesëmarrje e cila arrin deri në 90 për qind”, u shpreh Erdogan.
Ai gjithashtu potencoi se qëllimi i qeverisjes së re do të jetë që Turqia të arrijë drejt synimeve të vitit 2023.
Ndërkohë, gjatë procesit zgjedhor nuk janë regjistruar parregullsi të rënda. Megjithatë, gjatë numërimit kandidati i opozitës Inçe akuzoi mediat, kryesisht agjencinë Anadollu, se ka manipuluar me shifrat që të demoralizojë numëruesit dhe vëzhguesit e tij në qendrat e numërimit./abcnews.al