Erdogan: Terroristët nuk do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre, Turqia nuk pret më asgjë nga BE-ja

schedule15:29 - 1 Tetor, 2023

schedule 15:29 - 1 Tetor, 2023

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në Ankara, ku mbetën të plagosur dy policë. Gjatë fjalimit të tij në Parlament ai tha se terroristët nuk do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre.

“Terroristët nuk do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre. Kriminelët që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve nuk i kanë arritur qëllimet e tyre dhe nuk do t’i arrijnë kurrë”, tha Erdogan.

Kujtojmë që një sulmues hodhi veten në erë me një mjet shpërthyes në zemër të kryeqytetit turk, Ankara, të dielën, disa orë përpara se parlamenti të rihapte punimet pas pushimit veror. Po ashtu një sulmues i dytë u neutralizua në një shkëmbim zjarri me policinë.

Erdogan gjatë fjalimit të tij iu adresua edhe anëtarësimit në BE, ku tha se nuk pret me asgjë dhe se nuk do të tolerojë më kërkesa apo kushte të reja në procesin e anëtarësimit të Turqisë.

“Turqia nuk pret më asgjë nga Bashkimi Evropian që na bëri të presim në derën e tij për 40 vjet. Ne i kemi mbajtur të gjitha premtimet që i kemi bërë BE-së, por ata nuk kanë mbajtur pothuajse asnjë prej tyre,” tha presidenti turk në fillim të mandatit të ri parlamentar, duke shtuar se ai nuk do të tolerojë “kërkesa apo kushte të reja në procesin e anëtarësimit të Turqisë”.

Përpara samitit të NATO-s në korrik, Erdogan dha dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO me kushtin e rifillimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Turqia, ende një kandidat zyrtar për anëtarësim, aplikoi në 1987 për t’u anëtarësuar në Komunitetin Ekonomik Evropian dhe në 1999 për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por negociatat e anëtarësimit që filluan në 2005 janë ngrirë prej vitesh.

Marrëdhëniet Ankara-Bruksel janë përkeqësuar që nga përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit të korrikut 2016 në Turqi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!