Erdogan: Shefi i dyshuar i Shtetit Islamik, Kurejshi, është vrarë në Siri

schedule07:27 - 1 Maj, 2023

schedule 07:27 - 1 Maj, 2023

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se shefi i organizatës xhihadiste të Shtetit Islamik (IS) është vrarë të shtunën e kaluar në Siri gjatë një operacioni të kryer nga shërbimi i inteligjencës turke.

“Lideri i supozuar i DEASH-it, i cili kishte pseudonimin Abu Husein al-Qurasi, u neutralizua gjatë një operacioni të kryer nga MİT [shërbimi i inteligjencës turke] në Siri”, ka thënë presidenti turk.

Ndëqr të tjera Erdogan sqaroi se agjencia turke e spiunazhit kishte monitoruar liderin e IS-it “për një kohë të gjatë”, megjithatë ai u përmbajt të hynte në më shumë detaje rreth operacionit.

IS njoftoi më 30 nëntor vdekjen e udhëheqësit të saj të mëparshëm, Abu Hassan al-Hashimi al-Qurasi, pa specifikuar se si vdiq ai. Ai u zëvendësua nga Abu Al-Hussein al-Husseini al-Qurasi, grupi xhihadist kishte shtuar në atë kohë.

Sipas një korrespondenti të AFP-së në Sirinë veriore, shërbimi turk i inteligjencës dhe një grup i armatosur lokal i mbështetur nga Ankaraja bllokuan një zonë në veri të komunitetit Jadairis në rrethin Afrin (në veriperëndim), rreth dhjetë kilometra nga kufiri siriano-turk.

Banorët e zonës që u intervistuan thanë se një operacion u krye duke synuar një fermë të braktisur ku dikur funksiononte një seminar islamik.

Turqia ka dislokuar trupa në sektorë të ndryshëm të Sirisë veriore që nga viti 2020, ndërsa kontrollon zona të mëdha përmes përfaqësuesve sirianë të ushtrisë turke, organizata që janë përfshirë në luftën kundër regjimit të Bashar al-Asad që nga viti 2011.

Ndërkaq ushtria amerikane ka kryer disa operacione kundër liderëve të IS në Siri vitet e fundit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!