Erdogan rrit me 140% tarifat për disa importe amerikane

schedule13:09 - 15 Gusht, 2018

schedule 13:09 - 15 Gusht, 2018

Një ditë pasi u kërkoi qytetarëve të mos përdornin Iphonet, Presidenti Erdogan ka dekretuar tarifa të reja të rritura për produktet amerikane që hyjnë në Turqi, mes tyre makinat, duhani e alkooli. Por edhe SHBA paralajmërojnë reagim, duke rritur më shumë tensionin mes dy vendeve.

Turqia ka rritur tarifat e disa produkteve të tjera që importohen nga SHBA, përfshi makinat, alkooli e duhani, teksa tensioni mes Ankarasë e Uashingtonit veçse përshkallëzohet. Këto lëvizje pasojnë njoftimin e presidentit Recep Taip Erdogan se Turqia do bojkotojë çdo produkt elektronik amerikan. Erdogan u sugjeroi qytetarëve që të përdornin telefonët Samsung apo ato të prodhimit turk Vestel në vend të Iphoneve.
Tensioni mes dy aleatëve të NATO-s është rritur pas arrestimit nga Turqia të një pastori amerikan, me efekt rënien rekord të lirës turke në raport me dollarin amerikan.

Sipas dekretit të publikuar në fletoren zyrtare të Turqisë, presidenti Erdogan ka firmosur rritjen e tarifave për automjetet e pasagjerëve me 120%, për pijet alkoolike me 140% dhe duhanin me 60%. Tarifat janë rritur edhe për produkte të tjera si kozmetikë, oriz dhe karbon.
Zëvendëspresidenti Fuat Oktay shkroi në Tuiter se rritja e këtyre tarifave ishte një kundërpërgjigje për t’u çliruar nga sulmet ndaj ekonomisë sonë nga administrata amerikane.

Të martën, Shtepia e Bardhë tha se presidenti Trump ishte zhgënjyer që Turqia nuk e liroi pastorin amerikan Endrju Brenson, të cilin e mban me akuza për terrorizëm të fabrikuara, sipas Uashingtonit. Burime zyrtare i kanë thënë Reuters se presione të reja ekonomike janë rezervuar nga SHBA për Turqinë në ditët e ardhshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!